Vetëm gjatë javës së kaluar, 31 lindje dhe mbi 18 mijë analiza të realizuara në Spitalin e Pejës

Gjatë javës së kaluar, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë regjistruar gjithsej 31 lindje, prej tyre 18 djem dhe 13 vajza, njofton institucioni shëndetësor.
Përveç lindjeve, spitali ka vazhduar të ofrojë një gamë të gjerë shërbimesh për pacientët, duke përfshirë 2,685 vizita specialistike dhe 244 pranime në repartet e ndryshme.
Sipas raportit javor, mesatarisht 208 pacientë kanë qenë të shtrirë çdo ditë, ndërsa 1,678 pacientë kanë kryer gjithsej 18,688 analiza laboratorike, përcjell Telegrafi.
Në këtë periudhë, janë realizuar 69 operacione të suksesshme, si dhe 199 seanca dialize. Po ashtu, shërbimet diagnostikuese përfshijnë 496 ekzaminime me Rëntgen, 277 me ultrazë (Eho), 129 me CT dhe 56 me MRI.
Në kuadër të kujdesit kardiologjik janë kryer 30 ergometri dhe 60 ekokardiografi, ndërsa në endoskopi janë realizuar 11 kolonoskopi dhe 22 gastroskopi.
Në fushën e rehabilitimit fizik, spitali ka ofruar gjithsej 294 shërbime fiziatrike.
Spitali i Pejës ka theksuar se angazhimi i stafit mjekësor dhe profesional do të vazhdojë me përkushtim, me qëllim të ofrimit të shërbimeve cilësore për çdo pacient. /Telegrafi/

















































