LAJMI I FUNDIT:

Veseli viziton Ferronikelin, premton përkrahje të fuqishme për investitorët

Veseli viziton Ferronikelin, premton përkrahje të fuqishme për investitorët

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli vizitoi sot kompaninë NewCo Ferronikeli në Drenas.

Gjatë vizitës së tij, Veseli theksoi rëndësinë e kësaj kompanie jo vetëm për Komunën e Drenasit dhe për impaktin që ajo ka në krijimin e mirëqenies së qindra punëtorëve të këtij rajoni, por edhe për tërë Kosovën.


Veseli tha se tashmë në Ferronikel është një investitor serioz, i cili në një afat rekord ka arritur të riaktivizojë prodhimin dhe t’i paguaj pagesat e punëtorëve, të cilët mbajnë afër një mijë familje.

“Institucionet e Kosovës do t’u japin përkrahje të vazhdueshme investitorëve. Kemi projektligjin e ri në shqyrtim, i cili do t’u japë perspektivë edhe më të madhe atyre. Janë burime të cilat presin, sikurse krenaria e Kosovës, Trepça, e cila me ligjin e ri do të ketë një transformim dhe do të ndikojë në rritjen e eksportit, të ekonomisë kosovare, punësimit dhe të perspektivës së Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se përkrahja për Manen dhe gjithë investitorët që investojnë në Kosovë do të jetë e plotë. “Ftoj investitorët e tjerë që të investojnë në Kosovën tonë, në energji, miniera, prodhim, shërbime etj., ngase Kosova është një vend i lirë, me ligje stimuluese për investitorë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit foli fjalë miradie për investitorin e ri të Ferronikelit, të cilin e konsideroi njërin nga investitorët më të mëdhenj në hapësirat shqiptare dhe më tej.

“Të gjithë janë të kënaqur që fabrika e Ferronikelit është rikthyer në punë me kapacitet të plotë të prodhimit, si dhe me investimet e bëra nga investitori i ri, Grupi Balfin. Institucionet tona do të vazhdojnë të japin përkrahje të fuqishme në zgjerimin e kapaciteteve operative dhe prodhuese të kësaj fabrike”, theksoi Veseli.

Pronari i ri i Ferronikelit, Samir Mane, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen e tij.

Samir Mane theksoi se Grupi Balfin do të vazhdojë t’i japë përkrahje të fuqishme kompanisë së sapozotëruar prej tij, NewCo Ferronikelit. “Do të ofroj përkrahje të plotë për Ferronikelin, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin e afërt me komunitetin e saj”, tha Mane. /Telegrafi/