Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në mostrat e mbledhura sot në të gjithë vendin, uji i sistemeve të goditura nga shirat dhe përmbytjet, ka ende vlerë të shtuar të turbullirës në ujin e pijshëm.

IKSHPK ka njoftuar se nga mostrat e analizuara ka rezultuar se uji përmban baktere koliforme dhe si të tilla nuk janë brenda standardeve të parapara.

“Në mostrat e analizuara nga të njëjtat sisteme, nga analizat laboratorike fiziko-kimike rezulton vlerë e ngritur e turbullirës që i kalon vlerat standarde të lejuara. Parametra të tjerë fiziko-kimikë rezultojnë në lëkundje në varësi të vlerave të turbullirës. Nga mostrat laboratorike mikrobiologjike të përpunuara deri më tani, disa nga ato rezultojnë me baktere koliforme dhe si të tilla nuk janë brenda standardeve të parapara”, thuhet në njoftim.

Reklama
Reklama

IKSHPK ka shtuar se uji nga këto sisteme nuk i plotëson standardet e kërkuara të ujit të pijshëm.

“Në zonat me burime nëntokësore dhe sistemet që nuk u prekën nga reshjet, monitorimi vijon edhe sot dhe ekipet në teren raportuan se analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike janë brenda standardeve për ujin e pijshëm”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së. /Telegrafi/