Ngjyra të forta, motive mesdhetare dhe frymë verore

Kombinimi i guximshëm i ngjyrave dhe kreativiteti në dizajn janë çelësi për të sjellë atmosferën e verës italiane në thonjtë tuaj. Por çfarë saktësisht është trendi “Italian Market” dhe përse po konsiderohet si hit absolut i këtij sezoni?


Imagjinoni veten me pushime në Itali. Para se të shkoni në plazh, vendosni të kaloni nëpër rrugicat e ngushta të qytetit të vjetër, për të blerë fruta të freskëta dhe të shijshme në treg. Ndjeni ngrohtësinë e diellit mbi lëkurë, aromën e verës në ajër dhe dëgjoni të qeshurat dhe zhurmën e ëmbël të gjuhës së dytë më romantike në botë.

Kjo është pikërisht ndjesia që përçon trendi “Italian Market” në manikyr. Një skenë tipike e një vere siciliane përplot ngjyra, shije dhe pasion, e përmbledhur në një dizajn maksimalist mbi thonjtë tuaj, transmeton Telegrafi.

Ky trend ka shpërthyer këtë verë në rrjetet sociale, dhe është pothuajse e pamundur të mos ju ketë zënë syri një version të tij në Instagram apo TikTok. Por çfarë e bën kaq të veçantë?

“Italian Market” nënkupton që çdo thua të lyhet me një ngjyrë tjetër të fortë dhe verore, e më pas të dekorohet me motive të mëdha dhe të guximshme të frymëzuara nga ushqimi, si peshqit (veçanërisht sardele), ullinjtë, limonët, portokajtë e të ngjashme.

Çelësi është të mos keni frikë nga ngjyrat. Vijat shumëngjyrëshe të kombinuara me ilustrime të frutave agrume dhe peshqve krijojnë një pamje freskuese dhe unike, të përsosur për ditët e nxehta. Maksimalizmi është elementi themelor në këtë trend, prandaj mos hezitoni të eksperimentoni me art 3D në thonj, madje kjo edhe inkurajohet!

Detajet dhe saktësia janë gjithashtu të rëndësishme për të arritur pamjen ideale të “Italian Market”. Nëse, për shembull, mbi një bazë me nuanca kremoze apo në një manikyr klasik francez shtoni një bollëk frutash, nga boronicat, te portokallet e deri te qershitë, atëherë jeni tashmë në gjysmën e rrugës për në Itali. E vetmja gjë që ju mungon është një biletë avioni vetëm për një drejtim. /Telegrafi/