LAJMI I FUNDIT:

Vepra që do të lexohet gjithnjë

Vepra që do të lexohet gjithnjë
Rexhep Hoxha

Nga: Shyqri Galica

Në kujtim të shkrimtarit të shquar Rexhep Hoxha


Shkrimtari ynë i shquar e pedagogu shumëvjeçar i Universitetit të Prishtinës, prof. Rexhep Hoxha, u nda nga ne kur po mbushte nëntë dekada jetë të begatshme dhe më shumë se gjashtë dekada krijimtari letrare-artistike. Vjershën e parë do ta botojë në vitin 1947, kurse veprën e parë me titull “Gjethet e reja” më 1953, kështu që shkrimet e tij do të botohen pothuajse në të gjitha gazetat e revistat shqipe për të arritur dhe në një numër të madh botimesh për fëmijë e të rritur, më shumë se dyzet sosh: vjersha, tregime, romane, kritika, polemika etj.

Vepra e prof. Rexhep Hoxhës do të jetë vazhdimisht dhe një abetare për shkollarin e fillores, kurse do të jetë dhe një mesazh për jetën e tij, një mesazh edukativo-artistik që do ta ngre nivelin e tij arsimor e intelektual. Veprat e këtij shkrimtari do të lexohen jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga struktura të ndryshme, sepse janë vlerat artistike, poetika e tyre, që i bëjnë të veçanta, madje të veçanta me përmbajtjen, me idetë, me pikëpamjet, me stilin dhe gjithsesi me komunikimin inventiv dhe me artikulimin specifik të mesazhit artistik.

Dashuria për atdheun është mbi të gjitha dhe këtë dashuri e përçon nëpërmjet krijimeve të tij letrare, shumë nga të cilat bëhen dhe pjesë e arsenalit edukativ, arsimor e psikologjik të nxënësit e të studentit, të pedagogut e të intelektualit, krijime që shquhen me një botë specifike, ku shihet më qartë dhe më dendur përkushtimi i madh i shkrimtarit Rexhep Hoxha.

Vepra letrare e tij ka ndikuar në edukimin dhe ngritjen intelektuale të brezave të tërë me vepra gjinish e zhanresh të ndryshme, duke filluar nga poezia lirike deri te romani si lloj kompleks i letërsisë.

Në vitin 2010, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, në kuadër të veprimtarisë së saj për stimulimin dhe afirmimin e krijimtarisë letrare e ka shpallur laureat të çmimit tradicional letrar “Esad Mekuli” për krijimtari të përgjithshme letrare, sepse Rexhep Hoxha pa dyshim mbetet njëri ndër shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqipe dhe intelektuali ndër më fisnikët që nuk u përkul në asnjë rrethanë para kërcënimeve e kurtheve të shumta të njerëzve të pushtetit gjatë ish-Jugosllavisë, të këlyshëve të pushtuesit e të ndihmësve të tyre, madje edhe në rrethanat e pasluftës së UÇK-së tregoi konsekuencën ndaj emrave të shërbëtorëve të pushtuesve jugosllavë duke refuzuar një çmim të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, që materialisht ishte mjaft i majmë.

Vepra e profesor Rexhep Hoxhës dhe personaliteti letrar-artistik e intelektual do të nderohen, do të çmohen e do të vlerësohen gjithmonë ndër breza, prandaj emri i tij do të mbetet i paharruar në gjithë arealin e kombit tonë, kurse vepra e tij do të lexohet gjithnjë.