Këtë herë do të prezantohen dy koleksione, vjeshtë/dimër 2013, si dhe pranverë/verë 2014, si dhe njëkohësisht do të bëhet prezantimi i hapësirës së “Venera Mustafa Studio”. Tematika dhe inspirimi, si gjithmonë, janë të veçanta dhe jashtë kornizave diktuese të fushës së modës.

Pranverë/verë 2014 fokusohet në rëndësinë e natyrës bashkëpunuese duke u shkrirë kështu në një element të vetëm dhe shumë të rrallë ‘Paladium’.


Duke qenë se ‘paladium’ në natyrë paraqitet i përbërë prej shumë izotopeve, që në harmoni bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, teknikisht dhe vizualisht, në këtë koleksion bashkëpunimi do të jetë mes Venera Mustafës dhe artistëve, të ndryshëm në teknika të ndryshme, disa nga bashkëpunimet do të përfshijnë artistët, si Majlinda Hoxha, Jakup Ferri e Alban Muja.

venm1

Koleksioni teknikisht përdor printim digjital të tekstilit, në formate të mëdha, në materialet si mëndafsh dhe pambuk, njëkohësisht duke e prezantuar atë si teknologji të re në Kosovë, “Ready to wear”.

Printimi në material në vazhdimësi që nga koleksioni i parë “Laboratory Tripodrom”, vazhdon të jetë njëra ndër shumë pikat që Venera Mustafa eksploron dhe prezanton duke sjellë kështu veshje, tematika dhe teknika interesante çdo herë!

Vjeshtë/dimër 2013 nxjerr inspirim nga prerjet e xhubletës si dhe vizualisht në format, ngjyrat dhe strukturat e kërpudhave!

Do të jenë të prezantuara në teknika dhe prerje të ndryshme, “laser cut”, që si rezultat jep një prerje teknikisht shumë precize, si dhe neë strukturë shumë interesante.

Venera Mustafa, me një përvojë mode në Paris, Kopenhagë dhe deri tani prezantoi koleksionet në Vjenë, në Muzeun e Arteve Aplikative, në Bazel në “Showroom Basel”, në Cyrih, si dhe se shpejti do të prezantohet në Paris, si pjese e Javës së modës.