Pas vërshimeve, procesi mësimor shtyhet deri më 12 janar në të gjitha shkollat

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit, fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, është marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë shtesë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar.
“Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin e MAShTI-t.
Ministria ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe se, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.
Po ashtu, theksohet se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
MAShTI ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./Telegrafi.



































