Vdes këngëtari i famshëm botëror, Chris Rea

Chris Rea, këngëtari dhe kantautori britanik i njohur ndërkombëtarisht për hitet e tij të paharrueshme, përfshirë "Driving Home for Christmas", ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
Sipas deklaratës së dhënë nga familja, ai ndërroi jetë në spital pas një sëmundjeje të shkurtër.
Lajmi ka tronditur fansat dhe komunitetin muzikor në të gjithë botën, duke kujtuar ndikimin e madh që Rea pati në skenën muzikore ndër dekada.

Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë, Chris arriti të ndërthurë në mënyrë të jashtëzakonshme elemente të 'blues'-it, 'pop'-it, 'soul'-it dhe 'soft rock'-ut.
I njëjti publikoi gjithsej 25 albume dhe disa prej tyre janë bërë klasike të vërteta.
Një nga albumet më të suksesshme ishte "The Road to Hell", i cili arriti vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe përmbante këngë që u bënë ikonike për audiencën britanike dhe ndërkombëtare.
Përveç suksesit me albumin, Rea është i njohur edhe për këngën e përvitshme të Krishtlindjes, "Driving Home for Christmas".
Kënga është një nga ato pak këngë që rikthehen çdo vit në radion dhe televizionin britanik, duke krijuar një ndjenjë nostalgjie dhe ngrohtësie.
- YouTube www.youtube.com
Po ashtu, hitet e tij "On the Beach" dhe "Josephine" gjetën sukses të madh edhe në skenën e muzikës, duke u bërë pjesë e seteve të DJ-ve dhe klubeve të famshme në Evropë.
Rea shiti më shumë se 30 milionë albume në mbarë botën, duke u bërë një nga artistët më të shitur dhe më të dashur të brezit të tij.
Vdekja e Chris shënon fundin e një epoke për muzikën britanike dhe ndërkombëtare, por trashëgimia e tij muzikore do të vazhdojë të jetojë përmes këngëve që kanë mbetur pjesë e kulturës popullore. /Telegrafi/




























































