Vdekja e mistershme e mjeshtrit amerikan: A e çuan akuzat e Kramnikut drejt kolapsit Daniel Naroditskyn?

Bota e shahut është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të mjeshtrit amerikan dhe komentatorit të njohur në YouTube, Daniel Naroditsky, në moshën vetëm 29-vjeçare.
Familja e tij njoftoi për vdekjen e papritur nëpërmjet klubit “Charlotte Chess Center” të hënën, pa dhënë hollësi mbi shkakun e vdekjes.
Në njoftim, Naroditsky u përshkrua si “një anëtar i dashur dhe i respektuar i komunitetit të shahut, i admiruar nga fansat dhe lojtarët në mbarë botën”.
Naroditsky ishte i njohur për kanalin e tij në YouTube, ku publikonte video, analiza dhe ndeshje të drejtpërdrejta, duke frymëzuar mijëra njerëz në mbarë botën të fillonin të luanin shah. Federata Ndërkombëtare e Shahut (FIDE) e quajti atë “një figurë kyçe në popullarizimin e përmbajtjeve të shahut në internet”.
Megjithatë, para këtyre fjalëve përkushtimi, kishte pasur edhe një sërë akuzash nga Vladimir Kramnik për Naroditskyn, të cilat tanimë po marrin përmasa serioze. Që nga tetori i vitit 2024, Kramnik kishte akuzuar publikisht tashmë të ndjerin se nuk ka luajtur drejtë, pa ofruar shumë fakte.

Naroditsky vetë u shpreh se akuzat kishin ndikuar rëndë në shëndetin e tij mendor: “Që nga ‘çështja Kramnik’, ndiej se nëse filloj të performoj mirë, njerëzit mendojnë menjëherë që kam qëllime të liga”.
FIDE ka nisur hetim ndaj Kramnikut për deklaratat e tij publike ndaj Naroditskyt, duke i referuar dokumentet në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës.
Komentet për humbjen e Naroditskyt nga komuniteti i shahut kanë qenë të ashpra: Lojtarë si Hikaru Nakamura dhe Magnus Carlsen e kanë kritikuar Kramnikun për sjellje “të papranueshme” dhe për dëmtim të reputacionit dhe mirëqenies psikologjike të kolegut të tij të komunitetit.
Naroditsky kishte filluar të luante që në moshën gjashtëvjeçare, pasi vëllai i tij e kishte përfshirë në një lojë gjatë një feste ditëlindjeje. Më vonë, talenti i tij u vërejt nga babai dhe trajnerët. Në një intervistë për New York Times në vitin 2022, ai kishte thënë me modesti: “Unë thjesht po luaja me vëllain tim. Nuk e dija që do të bëhej gjithë jeta ime"./Telegrafi/


















































