Vdekja e Artur Zhejit, media shqiptare në zi - mesazhe edhe nga politika

Gazetaria shqiptare ka humbur një nga personalitetet e saj më të shquara. Gazetari, analisti dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Artur Zheji, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 63-vjeçare.
Humbja e tij e papritur ka ndodhur në Sarandë, ndërsa ai ishte duke drekuar me familjen. Rreth orës 16:10, ambulanca e Spitalit Rajonal të Sarandës është njoftuar nga familjarët për një problem shëndetësor që kishte shfaqur gazetari. Dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak. Ai ndërroi jetë gjatë transportit me ambulancë drejt spitalit.
Një karrierë e pasur në shërbim të medias
Artur Zheji njihej si një nga penat më të spikatura të gazetarisë shqiptare, i specializuar në analizë dhe opinion. Me një veprimtari të pasur, ai shërbeu në funksione drejtuese në disa media, duke kulmuar me postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar.
Përmes shkrimeve të tij si editorialist, analizave politike dhe drejtimit të programeve televizive, ai la një gjurmë të pashlyeshme në fushën e medias, duke u bërë një zë i rëndësishëm për debatin publik në vend.
Artur Zheji ishte i njohur jo vetëm për kontributin e tij në media, por edhe për trashëgiminë e pasur kulturore. Si djalë i eruditit Petro Zheji dhe aktores Besa Imami, ai vetë la gjurmë si dramaturg, një anë e talentit të tij të vlerësuar nga Teatri Kombëtar, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e tij.
“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm medien dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.
Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.
Reagimi i komunitetit të gazetarëve
Lajmi i vdekjes së tij u prit me dhimbje nga e gjithë komuniteti i gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshkruan Zhejin si një personalitet të respektuar, që la “gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik”.
Nga ana tjetër, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se Zheji do të mbahet mend për “stilin e vet oratorik, pasurinë shprehëse, forcën verbale të polemikës, dhe sidomos për integritetin e ndjeshmërinë e lartë në mbrojtjen dhe shprehjen krenare të identitetit të vet kombëtar.”
Sipas tyre, gjuha dhe aftësia e tij shkrimore përbëjnë një standard cilësie dhe intelektualizmi në mediat shqiptare.
Reagime nga politika
Njoftimi për vdekjen e tij u prit me dhimbje nga e gjithë skena politike, mediatike dhe kulturore në vend. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit theksoi se Zheji la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm si gazetar, por edhe si regjisor dhe autor i veprave artistike. Në një mesazh ngushëllimi, ministria thekson se “trashëgimia e tij mbetet pjesë e historisë së gazetarisë dhe kulturës shqiptare.”
Ministri i Shtetit për Diasporën, Taulant Balla, shprehu trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit.
“Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit, Artur Zheji. U prehsh në paqe mik!”, shprehet Balla në rrjetet sociale.
Po ashtu, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi Zhejin si një “gazetar korrekt, qytetar njerëzor, miqësor dhe tolerant,” që do të kujtohet si një model.
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, e konsideroi vdekjen e Zhejit një humbje të rëndë për mendimin kritik dhe shoqërinë shqiptare. Në një mesazh të tij, Gjekmarkaj vlerësoi kontributin e tij si një intelektual i spikatur dhe një zë i guximshëm që mbajti gjallë debatin publik me “stil unik, qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë”.









































