Vdekja e Agon Zejnullahut, Sindikata e Policisë përshëndet lirimin nga paraburgimi të pesë zyrtarëve policorë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv në drejtim të respektimit të parimeve themelore të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.
Në një deklaratë për media, Sindikata ka theksuar se ky vendim i një instance më të lartë gjyqësore përforcon parimin e prezumimit të pafajësisë, si dhe proporcionalitetin në masat e sigurisë, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.
“Gjithmonë kemi qenë përkrah ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit, por kujtojmë se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi gjatë fazës hetimore, deri në përfundimin e plotë të procedurës,” thuhet në reagimin e Sindikatës.
Ajo ka paralajmëruar se gjykimet e nxituara, pa përfunduar hetimet, mund të dëmtojnë integritetin profesional të pjesëtarëve të Policisë dhe të krijojnë pasiguri institucionale.
Në fund të reagimit, Sindikata shpreh besimin e saj të plotë në sistemin e drejtësisë, duke bërë thirrje për trajtim të kujdesshëm dhe pa paragjykime të këtij rasti. Ajo gjithashtu falënderon mbrojtësit ligjorë dhe familjet e zyrtarëve policorë për përkushtimin e treguar dhe rithekson angazhimin për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës.












































