Hendbollistet e respektuan himnin e Kosovës, por Federata spanjolle nuk e shkroi emrin Kosovë.

Të hënën në Prishtinë nisi Kampionati Mesdhetar i hendbollit për lojtaret deri në 16 vjet.


Në ndeshjen e parë u përballën Spanja dhe Kosova. Ndeshja filloi me intonimin e himneve të të dy shteteve. Lojtaret e Spanjës, siç është e zakonshme, e respektuan himnin e Kosovës. E njëjta ndodhi edhe me hendbollistet e Kosovës.

Ndërsa në Prishtinë gjithçka ishte në rregull, Federata e Hendbollit e Spanjës në faqen zyrtare bëri një paraqitje diskriminuese ndaj Kosovës.

Në raportin e ndeshjes u shkrua se Spanja kishte luajtur kundër “Federatës së Hendbollit të Kosovës” dhe jo kundër Kosovës. Në shumë pjesë, rivali i Spanjës u paraqit si “Federata e Hendbollit e Kosovës” e jo Kosova.

Ndërkohë, të gjitha kundërshtaret e ardhshme të Spanjës u shkruan me emrat zyrtarë: Mali i Zi, Bullgaria, Rumania dhe Turqia.

Në fakt, kjo nuk është diçka e re. Federatat spanjolle, përfshirë edhe atë të futbollit, kanë mbajtur vazhdimisht një qëndrim diskriminues ndaj Kosovës kur bëhet fjalë për prezantim. Zakonisht shmangin përdorimin e emrit zyrtar “Kosova”.

Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon të mbajë këtë qasje ndaj sportistëve kosovarë, të paktën sa i përket mënyrës së prezantimit./Telegrafi

telegrafi sport app