LAJMI I FUNDIT:

Vazhdojnë sulmet në veri, gjuajtje me shok-bomba në stacionet policore në Mitrovicë të veriut dhe Zveçan

Vazhdojnë sulmet në veri, gjuajtje me shok-bomba në stacionet policore në Mitrovicë të veriut dhe Zveçan

Tri sulme në intervale të ndryshme kohore kanë ndodhur mbrëmë në Mitrovicë të veriut dhe në Zveçan.

Serbët kanë sulmuar veturën e Policisë së Kosovës derisa ishte në lëvizje, si dhe kanë gjuajtur shok-bomba në dy komunat e lartë cekura.


Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.

“Kemi pasur tri sulme mbrëmë. Në Mitrovicën e veriut kanë gjuajtur me gurë veturën e Policisë derisa ishte në lëvizje, si dhe kanë gjuajtur dy shok-bomba në stacionin policor. Po ashtu, në afërsi të stacionit policor në Zveçan kanë gjuajtur shok-bomb”, njoftoi ai.

Vendosja e kryetarëve të rinj shqiptar në katër komunat veriore, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ka nxitur reagime të ashpra të serbëve lokalë.

Tensione në komunat veriore ka pasur që nga data 26 maj, serbët protestuan dhunshëm për disa ditë, ku tentuan të hyjnë më forcë në objektet e komunave.

Grupe kriminale serbe sulmuan ushtarë të KFOR-it, policë dhe ekipe të mediave. Zhvillimet e fundit në veri kanë nxitur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët të cilët edhe kërkuan nga Qeveria e Kosovës të ulin tensionet.

Së fundmi, në veri u kidnapuan edhe tre policë të Kosovës nga forcat e Policisë së Serbisë. /Telegrafi/