Vazhdojnë problemet për ish-çiklistin Jan Ullrich, sulmon një prostitutë në Frankfurt

Ish-çiklisti i njohur gjerman, Jan Ullrich, është arrestuar sërish, kësaj radhe për sulm ndaj një prostitute në Frankfurt.
"Ai është në mbajtje nga policia", ka thënë një zëdhënës i policisë për agjencinë AFP duke shtuar se 44-vjeçari kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe drogës në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Incidenti ka ndodhur në një hotel luksoz, me ç'rast ish-çiklisti ishte zënë me prostitutën që e shoqëronte dhe e më pas e ka sulmuar fizikisht dhe e ka lënduar.
Ky është një tjetër arrestim për Ullrich brenda një jave.
Të premten e kaluar, fituesi i Tour de France u arrestua në Majorca të Spanjës pasi e kishte sulmuar fqinjin e tij, aktorin dhe regjisorin Til Schweiger.
Në një intervistë për Bild, Ullrich ka thënë se është në dëshpërim të madh që prej ndarjes nga gruaja.
Ai ka pranuar se është duke marrë terapi për problemet e tij me drogat dhe alkoolin.
Ullrich është gjermani i vetëm që e ka fituar ‘Tour de France’ (1997). /Telegrafi/














































