‘Vatra’ është pjesë e lavdishme e historisë sonë!

“Si Komb, kudo që jemi, e festojmë me krenari këtë Ditë të Madhe, të lirë, të pavarur dhe sot më shumë se kurrë gjatë gjithë historisë sonë mijëvjeçare, mund të komunikojmë lirshëm ndërmjet veti, të ndihmohemi e të punojmë bashkërisht për të mirën tonë, për të mirën e brezave që vijnë për të mirën e vendit dhe gjithë rajonit”, thuhet në letër.
“Miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popullin Amerikan, nuk është vetëm në shenjë falënderimi për gjithë kontributin që ky vend dhe ky popull mik e dha gjatë gjithë periudhës historike edhe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në ruajtjen e sovranitetit por edhe në ndërtimin e proceseve demokratike pas rënies së komunizmit, por edhe për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën vendimtare e të pakursyeshme, për intervenimin humanitar të NATO-s që ndali gjenocidin, që riktheu shpresat në vlerat humane, civilizuese, duke larguar një herë e përgjithmonë hegjemonizmin nga kjo pjesë e Evropës”.
“Lidhja e jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Ju bashkatdhetarët e mijë jeni kontribuuesit më të mëdhenj është një lidhje e pashkëputur që shprehet si besim në vlerat e përbashkëta të civilizimit tonë pro-perëndimor, në vlerat e një demokracie të mirëfilltë e cila në fokus e ka njeriun, të drejtat dhe liritë, ndërtimin e shoqërisë që të gjithë qytetarët janë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, racore, fetare apo bindjet politike”.
“Njëqind vjetori i Federatës gjithëshqiptare ‘Vatra’ është një nga pjesët më të lavdishme të historisë sonë, është një nga përpjekjet dhe një nga punët më vizionare të bëra për vendin tonë, është një lëvizje atdhetare, kulturore, arsimore, publicistike dhe diplomatike që lëshoi rrënjë të forta këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Frytet e kësaj pune janë të përjetshme dhe shprehen, pikërisht sot që Kosova edhe Shqipëria janë shtete të pavarura dhe sovrane, që japin kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan duke jetuar në harmoni me popujt dhe shtetet përreth, sepse të gjitha vendet e rajonit e kemi përpara rrugën e qartë të integrimeve euroatlantike dhe ne në këtë rrugë, ecim më mirë, më shpejtë dhe më suksesshëm duke e ndihmuar njëri – tjetrin”.
“Pa Juve dhe pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rruga jonë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bijave dhe bijve më të shtrenjtë të popullit tonë do të ishte shumë e vështirë dhe e mundimshme, në qëllimin sublim për t’i dalë zot atdheut. Ju shqiptaro-amerikanët e kishit dhe do ta keni rolin e veçantë për të ardhmen tonë dhe për rrugën e integrimeve euroatlantike” thuhet ndër të tjera në letrën e Presidentes dërguar Federatës Panshqiptare ‘Vatra’. /Telegrafi/


















































