Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar me shqetësim të thellë pas raportimeve se në fshatin Rekë të Allagës, konkretisht në lagjet Pecaj dhe Hokaj të komunës së Pejës, janë dëmtuar varrezat dhe gurët mbivarrorë të periudhës osmane, të vjetra mbi 200 vjet.

Sipas BIK-ut, varrezat janë demoluar me ekskavator, gjë që përbën një akt të rëndë të vandalizmit kulturor dhe shpirtëror.


“Ky akt paraqet një vandalizëm të papranueshëm dhe të pariparueshëm, një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kulturës dhe trashëgimisë sonë shekullore,” thuhet në reagimin publik të Kryesisë së BIK-ut.

Ata paralajmërojnë se veprime të tilla nuk janë vetëm dëmtim fizik, por edhe rrezik për harmoninë ndërfetare në vend.

“Ky veprim synon të nxisë tensione ndërfetare dhe të cenojë harmoninë tradicionale që ka karakterizuar kombin dhe shoqërinë tonë ndër
breza,” thekson më tej reagimi.

Bashkësia Islame i konsideron autorët e këtij akti si shërbyes të agjendave që janë kundër vlerave shqiptare dhe shtetësisë së Kosovës.

“Autorët e këtij akti të ulët veprojnë si instrumente të agjendave anti-shqiptare dhe anti-kosovare, të cilat nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar,” thekson Kryesia e BIK-ut.

BIK i bën thirrje institucioneve komunale, regjionale dhe qendrore, përfshirë Policinë, Prokurorinë dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, që të veprojnë urgjentisht për zbardhjen e rastit dhe ndalimin e mëtejshëm të veprimeve të tilla.

“Kërkojmë me urgjencë që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e trashëgimisë sonë historike,” thuhet në reagim, duke kërkuar gjithashtu që gurët mbivarrorë të rikthehen në vendin e tyre të mëparshëm dhe të restaurohen sipas standardeve të trashëgimisë kulturore.

Në fund, BIK kërkon që autorët të përballen me drejtësinë sa më parë. /Telegrafi/