Valon Syla dhe Fisnik Çerkini i 'CoolnFresh' rikthehen me spektakël të ri të stand-up komedisë në 'Klan Arena'

Dy prej emrave më të njohur të humorit inteligjent dhe satirik në Kosovë, Valon Syla dhe Fisnik Çerkini, rikthehen këtë fundvit me një spektakël të ri të stand-up komedisë në Klan Arena në Prishtinë.
Të dy komedianët do të ngjiten në skenë me material tërësisht të ri, të ndërtuar rreth jetës, përvojave dhe perspektivave të tyre personale. Publiku do të ketë mundësinë të zgjedhë mes dy netëve të ndryshme – më 11 dhe 19 nëntor – për të përjetuar një prej ngjarjeve më të mëdha dhe më të pritura të këtij sezoni të komedisë.
Ky event është pjesë e valës së re të Kolektivit Komedi, një nismë që vitin e kaluar i dha një hov të dukshëm skenës së stand-up-it në Kosovë. Me organizim profesional, evente të rregullta dhe bashkëpunime të reja, kjo nismë ka kontribuar në rritjen e komedisë si një industri të mirëfilltë në vend.
Klan Arena pritet të mirëpresë edhe këtë vit një publik rekord për një event të tillë, duke vazhduar traditën e krijimit të hapësirave të mëdha për artin e humorit.
Biletat për të dy netët e eventit janë tashmë në shitje online në: www.kick-tick.com.



























































