Valon Hamdiu, ylli i radhës nga Kosova që po lë gjurmë në elitën e futbollit rumun

Një tjetër futbollist nga Kosova ka filluar të shkëlqejë në kampionatin elitar të Rumanisë. Bëhet fjalë për mesfushorin Valon Hamdiu, i cili këtë verë iu bashkua skuadrës Unirea Slobozia nga Schaffhauseni i Zvicrës.
27-vjeçari, që luan në pozitën e mesfushorit defensivë, është bërë menjëherë titullar i padiskutueshëm në formacionin bazë të ekipit të tij të ri. Ai po vlerësohet lartë për paraqitjet e tij që nga starti i sezonit.
Në tre ndeshjet e para në kampionatin rumun, Hamdiu ka luajtur në të gjitha nga 90 minuta duke qenë lider i skuadrës së tij në mesfushë.
Hamdiu ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës dhe cilësohet si një lojtar me disiplinë të madhe taktike. Ai njihet për shpirtin luftarak, ndërhyrjet e sakta dhe aftësinë për ta organizuar lojën në mesfushë.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Hamdiu ka luajtur në futbollin zviceran me klube si St. Gallen, FC Wil, Winterthur, Schaffhausen, Stade Lausanne Ouchy dhe Bellinzona. Për të është kjo aventura e parë jashtë Zvicrës, por po e përjeton mjaft mirë. Me klubin rumun, ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare.
Me formën që po kalon, ai po ndjek gjurmët e disa futbollistëve të tjerë kosovarë që në vitet e fundit kanë bërë emër në Superligën rumune.
Emra si Albion Rrahmani, Astrit Selmani, Ermal Krasniqi, Meriton Korenica dhe së fundmi Lindon Emerllahu, kanë bërë që lojtarët nga Kosova të jenë ndër më të kërkuarit në futbollin rumun.
Këtë verë, përveç Hamdiut, në Superligën e Rumanisë janë transferuar edhe Leard Sadriu dhe Drilon Islami, duke forcuar më tej prezencën e futbollistëve kosovarë në këtë kampionat.
Sigurisht që forma e mirë e tij është një gjë pozitive, pasi Hamdiu nëse vazhdon me këtë ritëm mund të marrë ftesë edhe nga Kombëtarja A e Kosovës, ku pozita e mesfushorit defensivë është bërë problematike në vitet e fundit. /Telegrafi/























































