Ushtarëve kroatë u ndalohen të bartin flokë dhe mjekër të gjatë

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, në komemoracionin për mbrojtësit dhe civilët kroatë të vrarë dhe të zhdukur në mbrojtjen e Lasllovës, foli për shërbimin ushtarak i cili së shpejti do të rikthehet në këtë vend.
Anushiq u ndal posaçërisht te pamja e personave që do të vijnë për ta kryer shërbimin ushtarak.
“Do të duhet të qethen, por jo krejtësisht tullac. Nuk mund të kenë flokë deri te supet dhe të jenë në ushtri. Flokët e gjata dhe mjekra paraqesin problem në aktivitetet e përditshme ushtarake, në kushte luftarake, në higjienë dhe në mbajtjen e pajisjeve. Ushtari duhet të duket i rregullt dhe i përshtatshëm. Kjo është baza e disiplinës, ndërsa disiplinë është baza e ushtrisë. Kjo nuk është ekskursion”, deklaroi ai.

Këto deklarata kujtojnë në mënyrë të pashmangshme kolegun e tij nga SHBA, Pete Hegseth, i cili disa herë ka theksuar se do t’u ndalojë ushtarëve të ushtrisë amerikane të mbajnë mjekra.
Gjatë kësaj ngjarje, ministri iu referua edhe paralajmërimit të kryetarit të Zagrebit, Tomislav Tomaševiq, se do të ndalojë koncertin e këngëtarit kontrovers kroat Marko Perkoviq.
“Nuk shoh arsye që sot t’i ndalohet dikujt mbajtja e koncertit, veçanërisht dikujt koncertet e të cilit deri tani i kanë ndjekur gjysmë milioni njerëz”, tha ministri kroat i mbrojtjes. /Telegrafi/
















































