Ushtarë amerikanë të Komandës Rajonale Lindore të KFOR-it kanë zhvilluar trajnime për kualifikimin e armëve me mitralozë M240 dhe M249 në poligonin Bobaj Bokes, në komunën e Gjakovës.

Lajmin e ka bërë të ditur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.


“Kualifikimi dhe aftësimi i ushtarëve në sisteme të ndryshme armësh është thelbësor për gatishmërinë e përgjithshme të trupave të KFOR-it,” thuhet në njoftimin e misionit.

Sipas KFOR-it, ky trajnim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme,” thuhet më tej në deklaratë.

Misioni i NATO-s theksoi gjithashtu se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përmbushjen e detyrave të tyre përkatëse për sigurinë në vend./Telegrafi/