Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë

Uran Ismaili ka mbajtur tubimin e tij të parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku para një numri të madh qytetarësh ka shpalosur vizionin dhe arsyet që e kanë shtyrë të rikandidojë për kryetar të kryeqytetit.
Gjatë fjalimit të tij, Ismaili u kthye te zgjedhjet e kaluara, duke kujtuar porositë që ka marrë nga qytetarët pas humbjes së asaj gare: “Pas fushatës, kudo që më keni pa - edhe ata që më kanë votu, edhe ata që atëherë kanë hezitu, ma keni dhanë një porosi rrugës: ‘Mos u dorëzo’,” tha ai.
Ai theksoi se vendimi për të hyrë sërish në garë nuk ka qenë i lehtë, por është udhëhequr nga besimi i thellë se Prishtina ka nevojë për një mënyrë të re të të bërit politikë – një politikë që vendos qytetarin në qendër.
“Prishtinë, unë nuk jam dorëzu. Ti je një për mu. E unë kam me qenë gjithmonë me ty,” u shpreh Ismaili me tone emocionale.
Duke kritikuar qeverisjen aktuale, ai tha se kryeqyteti është udhëhequr nga një grup i vogël njerëzish, të izoluar në zyra dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve: “Qytetari i Prishtinës nuk ka qenë në qendër as të investimeve, as të shërbimeve, as të vendimeve.”
Ai premtoi një qeverisje të hapur, të përkushtuar dhe në kontakt të përhershëm me qytetarët: “Askush s’ka me hy mes meje dhe qytetarëve. Do t’i shërbej Prishtinës 24/7.”
Ismaili tha se shpresat që ndjen nga qytetarët e tij i japin motiv dhe përgjegjësi të shtuar për të nxjerrë Prishtinën nga, siç e quajti ai, “kaosi që ka kapluar çdo lagje dhe çdo rrugë”.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë rrugëtim të ri: “Bashkë mund ta përfundojmë epokën e zhgënjimit në Prishtinë. Bashkë mund ta ndërtojmë një qytet të pastër, të gjelbër, të sigurt, me mundësi për të gjithë.”







































