URACult Classics ngjall emocione në Düsseldorf: Koncerti që ndihmoi fëmijët me autizëm

Të freskëta janë ende kujtimet nga mbrëmja muzikore "URACult Classics" e para disa javësh e artdashësve të shoqatës URACult nga Köln. Ata kësaj radhe kishin vendosur të jenë në skenën e shtëpisë së bukur Palais Wittgenstein në Düsseldorf, aty ku para disa muajsh u prezantua edhe "ReVocal Ensemble" nga Kosova.
Në këtë mbrëmje maji, skena e Palais Wittgenstein u takoi virtuozeve Sihana Badivuku-Hoxha (violinë) dhe Zana Badivuku-Basha (piano).
Ato ngazëllyen publikun shqiptaro-gjerman me repertoarin e tyre të pasur me vepra kompozitorësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë. Filluan me vepra të Bahut e Bramsit, vazhduan me ato të Bartokut, V. Beqirit e K. Aliçkajt etj., për të përfunduar me një interpretim kulminant të "Bareshës" së R. Mulliqit.
Një mbrëmje mbresëlënëse muzikore, madhësinë e së cilës e shtoi edhe karakteri humanitar i saj. Të gjitha të ardhurat nga hyrjet dhe donacionet e mbrëmjes, u vendos t'i dhurohen shoqatës Autizmi nga Prishtina e cila ofron shërbime terapeutike për fëmijët dhe të rinjtë me autizëm.
Të premten e kaluar, nënkryetarja e shoqatës URACult, Zethane Berisha, vizitoi qendrën në Prishtinë ku u mirëprit nga drejtoresha e shoqatës Hatixhe Hoxha dhe mbikëqyrësi i punës terapeutike Burhan Azizi ku edhe dorëzoi donacionin e mbledhur në Gjermani.
Me donacionin e URACult do të mundësohen seanca terapeutike falas për fëmijët dhe të rinjtë me autizëm.
"Jemi të lumtur që sado pak mundemi të ndihmojmë këtë organizatë të rëndësishme dhe shpresojmë të motivojmë edhe të tjerët të marrin shembullin tonë" tha përfaqësuesja e shoqatës nga Köln, gjatë bisedës me udhëheqësit e organizatës të cilët nuk kursyen fjalë mirënjohjeje për ndihmën nga Gjermania.
"I falënderojmë bashkatdhetarët tanë për këtë ndihmë. URACult veç është mik i fëmijëve me autizëm" shprehu falënderimin e saj drejtoresha Hoxha.
Që gati 11 vite, URACult është shoqata ndër më aktivet në diasporën shqiptare.
Kjo mbrëmje ishte shembull i shkëlqyeshëm i promovimit kulturor dhe sensibilizimit për njerëzit dhe familjet e tyre që kanë nevojë për ndihmë por edhe për organizatat që ofrojnë ndihmë profesionale.















































