Kievi i ka propozuar Moskës një raund të ri bisedimesh paqeje javën e ardhshme, njoftoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pasi negociatat ngecën në fillim të qershorit.

Dy raunde bisedimesh në Stamboll midis Moskës dhe Kievit nuk arritën të sjellin ndonjë përparim drejt një armëpushimi, duke dhënë në vend të kësaj shkëmbime të të burgosurve në shkallë të gjerë dhe marrëveshje për kthimin e trupave të ushtarëve të vrarë, shkruan the Guardian.


“Sekretari i Këshillit të Sigurisë Rustem Umerov raportoi gjithashtu se kishte propozuar takimin e ardhshëm me palën ruse për javën e ardhshme", tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar vendit.

"Vrulli i negociatave duhet të rritet", shtoi ai.

Zelensky përsëriti gatishmërinë e tij për të pasur një takim ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin.

"Një takim në nivel udhëheqësish është i nevojshëm për të siguruar vërtet paqen - paqe të qëndrueshme", tha ai.

Ndryshe, në bisedimet e muajit të kaluar, Rusia përshkroi një listë kërkesash të ashpra, duke përfshirë thirrjet që Ukraina të lëshojë më shumë territor dhe të refuzojë të gjitha format e mbështetjes ushtarake perëndimore.

Kiev i hodhi poshtë ato si të papranueshme dhe në atë kohë vuri në pikëpyetje qëllimin e negociatave të mëtejshme nëse Moska nuk ishte e gatshme të bënte lëshime.

Kremlini tha më parë këtë muaj se ishte gati të vazhdonte bisedimet me Ukrainën pasi Donald Trump i dha Rusisë 50 ditë për të arritur një marrëveshje paqeje ose të përballej me sanksione.

Presidenti amerikan u zotua gjithashtu të furnizonte Kievin me ndihmë të re ushtarake, të sponsorizuar nga aleatët e NATO-s, ndërsa qytetet e saj vuajnë nga sulmet ajrore gjithnjë e në rritje ruse. /Telegrafi/