UEFA ka përgëzuar Kosovën për fitoren e madhe 2:0 ndaj Suedisë, të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Kosova shënoi fitore mbresëlënëse ndaj Suedisë”, shkruhet në raportin e UEFA-s, duke vlerësuar se ky është një sukses i madh për një kombëtare ende të re në skenën ndërkombëtare, por që po tregon forcë dhe karakter.


Ndeshja nisi me raste të shumta për Dardanët, derisa në minutën e 25-të Elvis Rexhbecaj kaloi Kosovën në epërsi, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Dion Gallopeni. Në pjesën e dytë, Kosova shënoi edhe golin e dytë nga një kundërsulm model.

Albion Rrahmani bashkëpunoi me Vedat Muriqin, dhe pas kombinimit të bukur, kapiteni i Kosovës goditi fuqishëm nga 20 metra për të vulosur fitoren 2-0.

Për fitoren e madhe shkoi edhe faqja e njohur Bleacher Report, duke nënvizuar se kjo ishte vetëm fitorja e dytë në kualifikimet për Kupën e Botës.

Ky ishte trepikëshi i parë për Kosovën në këto kualifikime, pas humbjes 4:0 ndaj Zvicrës në ndeshjen hapëse. Tani Dardanët ngjiten në vendin e dytë të Grupit B me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë, duke lënë pas Suedinë dhe Slloveninë.

Me këtë fitore, Kosova jo vetëm që i ktheu shpresat për një kampanjë të suksesshme, por dëshmoi se është një kundërshtar serioz në garën për një vend në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/ 

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app