UEFA ka rregulla të rrepta që PSG dhe Tottenhami duhet t'i ndjekin pavarësisht se kush fiton Superkupën
Paris Saint-Germain ose Tottenham Hotspur do të duhet të ndjekin një rregullore të rreptë nëse fitojnë Superkupën e UEFA-s, që zhvillohet të mërkurën mbrëma në stadiumin “Bluenergy”, shtëpia e Udinese-s në Serie A, në edicionin e 50-të të kësaj ndeshjeje vjetore.
PSG, që ka lënë jashtë portierin Gianluigi Donnarumma, është shfaqur një herë më parë në këtë kompeticion – në vitin 1996, kur si fituese e Kupës së Fituesve të Kupave u përball me Juventusin dhe humbi me rezultatin e përgjithshëm 9-2.
Për Tottenham, kjo është paraqitja e parë historike në Superkupë, pasi i dhanë fund një mungese 17-vjeçare trofesh duke mposhtur Manchester United në finalen e Ligës së Evropës në Bilbao.
Rregullat për trofeun
Fituesi do të marrë në dorë trofeun zyrtar, me përmasa 58 cm dhe peshë 12.2 kg, si dhe 50 medalje ari. Megjithatë, trofeu origjinal mbahet nga UEFA, ndërsa klubi fitues merr një replikë në madhësi të plotë për ta mbajtur. Nëse klubi dëshiron të nxjerrë trofeun jashtë vendit të vet, duhet të marrë leje me shkrim nga UEFA.
Përveç kësaj, ekzistojnë rregulla të rrepta për përdorimin e trofeut në çdo aktivitet që përfshin sponsorë ose partnerë komercialë. Neni 9.02 i rregullores së UEFA-s thekson se replikat duhet të qëndrojnë gjithmonë nën kontrollin e klubit dhe nuk mund të largohen nga vendi pa miratimin me shkrim të UEFA-s. Gjithashtu, nuk lejohet përdorimi i trofeut në kontekste ku një palë e tretë përfiton dukshmëri ose lidhje me garën, pa autorizim të posaçëm.
Skuadrat dhe precedenti i Tottenhamit me UEFA-n
Kjo ndeshje shënon debutimin zyrtar të Thomas Frank si trajner i Spurs, ndërsa James Maddison, Dejan Kulusevski dhe Radu Drăgușin mungojnë për shkak dëmtimesh. Dominic Solanke është rikuperuar dhe pritet të jetë gati.
Tottenham ka pasur një episod të veçantë me UEFA-n në finalen e Ligës së Evropës, kur pas fitores ndaj United pati konfuzion me medaljet. Disa lojtarë nuk mbanin të gjitha elementet e uniformës zyrtare të kërkuara nga UEFA dhe kapiteni Son, Rodrigo Bentancur dhe Cristian Romero nuk morën medalje gjatë ceremonisë për shkak të një “mospërputhjeje të papritur” në numrin e tyre. Më pas, UEFA u kërkoi falje dhe lojtarët i morën medaljet në dhomat e zhveshjes. /Telegrafi/






























