U zgjodha kryetar i Stambollit, por po e shkruaj këtë nga burgu: Demokracia turke është në rrezik të madh

Nga: Ekrem Imamoğlu / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Vitin e kaluar u rizgjodha kryetar bashkie i Stambollit, me 51 përqind të votave. Ishte kjo hera e dytë që munda kandidatin e mbështetur nga qeveria. Hera e parë ishte në vitin 2019, kur zgjedhjet për kryetar bashkie u anuluan mbi baza të dobëta; votuesit u kthyen në qendrat e votimit dhe na dhanë një fitore edhe më të thellë.
Por, këtë vit, demokracia në Turqi ka hyrë në fazën e saj më të rrezikshme. Procesi filloi në mars, në prag të kandidimit tim si kandidat presidencial i CHP-së - Partisë Popullore Republikane, një parti njëqindvjeçare. Pikërisht atëherë u anulua, paptritmas, diploma ime universitare. Pse është kjo e rëndësishme? Sepse, sipas Kushtetutës turke, për të kandiduar për president duhet të kesh diplomë universiteti. Menjëherë pas kësaj, u akuzova për korrupsion dhe për “ndihmë ndaj një organizate terroriste”. Ka gjashtë që muaj që jam prapa grilave, i arrestuar mbi akuzat politike për korrupsion, të bazuara në dëshmitarë “anonimë”. Është skandal të ndodhë kjo në një vend që i përmbahet Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Dhe, nuk jam i vetëm. Në të gjithë Turqinë, më shumë se një duzinë kryebashkiakësh nga opozita janë tani në burg. Fatkeqësisht, numrat po rriten vazhdimisht; më shumë se një e katërta e rretheve të Stambollit kanë pësuar arrestimin e drejtuesve të tyre të zgjedhur, duke heshtur miliona votues në një nga qytetet më të mëdha të botës.
Nga kryetarët e bashkive në Adana dhe Antali, deri te punonjësit bashkiakë në Stamboll, shtypja ka prekur çdo nivel. Qindra persona po kalben në burg - përfshirë gazetarë, akademikë, biznesmenë dhe studentë. Enes Hocaoğulları, një delegat i rinisë në Këshillin e Evropës, u arrestua vetëm pse shprehi mendimin e vet - në bazë të ligjeve të paqarta të Turqisë për “çorientim” të publikut. Kjo tregon se sa larg ka shkuar shtypja. Lirimi i tij, pas protestave brenda dhe jashtë vendit, është një fitore e vogël, por domethënëse për rezistencën demokratike.
Le ta them qartë se çfarë po ndodh. Nën arrogancën e pushtetit të pakontrolluar, presidenti Recep Tayyip Erdoğan po përdor përsëri gjykatat si armë kundër opozitës demokratike. Këtë herë, kundërshtarët po burgosen dhe po zëvendësohen me luajalë. Duke qenë i paaftë të mbyllë CHP-në, qeveria po ndjek një çështje që synon të fshijë udhëheqjen në rritje të CHP-së - duke përmbysur rezultatet e Kongresit Kombëtar të vitit 2023. Më herët këtë muaj, një gjykatë vendosi të anulonte kongresin lokal të CHP-së në Stamboll, të shkarkonte kryetarin e saj dhe të emëronte një kujdestar.
Çështja kundër CHP-së, të cilën qeveria po e zvarrit me shpresën për të destabilizuar opozitën kryesore dhe për të hequr udhëheqjen e saj legjitime, përfaqëson një pikë kthese në shpërbërjen efektive të pluralizmit politik. Një sistem ku gjyqtarët zëvendësojnë drejtuesit e zgjedhur me të emëruar të përzgjedhur, nuk është aspak demokraci.
Pasi ka zbrazur institucionet e republikës për të ndërtuar një regjim autoritar, Erdoğani tani synon të fabrikohet një opozitë të bindur dhe e dobët. Ai synon të rishkruajë rregullat në mënyrë që asnjë kundërshtar i vërtetë të mos mund të mbijetojë, duke siguruar pushtetin në stilin e Hosni Mubarakut të Egjiptit apo të Asadëve të Sirisë. Këto janë metoda të qëllimshme që ka gjasa të kopjohen diku tjetër nesër, nëse demokratët, kudo që janë, nuk bashkohen për t’u kundërvënë.
Taktikat gjithnjë e më shtypëse të Erdoğanit zbulojnë mbështetjen e tij popullore që po gërryhet dhe përpjekjen e tij të dëshpëruar për të ruajtur pushtetin. Për të shmangur një tjetër humbje në kutinë e votimit, ai po i rishkruan rregullat. Ai mbështetet në fushata shpifjeje, akuza për korrupsion, përpjekje për të përçarë opozitën dhe etiketën gjithnjë të pranishme të “terroristit”. Megjithatë, kjo shfaqje force e ka minuar më tej legjitimitetin e tij, duke e lënë gjithnjë e më të varur nga një pakicë e ngushtë dhe nga makineria shtetërore.
Populli i Turqisë nuk mashtrohet më. Protestat mbushin rrugët dhe sondazhet e vendosin vazhdimisht CHP-në si partinë kryesore të vendit. Që nga 19 marsi, dita kur u arrestova dhe u burgosa, miliona qytetarë, edhe në bastionet e supozuara të Erdoğanit, kanë marrë pjesë në protestat paqësore për të kërkuar drejtësi dhe ndryshim - pavarësisht rrezikut të arrestimit dhe dhunës policore. Kjo rezistencë pasqyron traditën 150-vjeçare të demokracisë parlamentare të Turqisë. Por, vetëm rezistenca nuk mjafton.
Për këtë arsye, CHP-ja po përgatit një udhërrëfyes gjithëpërfshirës për një tranzicion demokratik, për të ndërtuar një aleancë elastike dhe gjithëpërfshirëse: të fitojë zgjedhjet; të stabilizojë ekonominë; të rikthejë pavarësinë e gjyqësorit; të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar; të zgjerojë të drejtat sociale; të rindërtojë besimin në institucione; dhe, të rishkruajë rolin e Turqisë në një peizazh gjeopolitik që po ndryshon.
Lufta e Turqisë për demokraci, liri dhe drejtësi nuk është vetëm e saj. Nëse një komb - përvoja e të cilit dëshmon se demokracia është projekt universal - rrëshqet më thellë në autokraci, pasojat do të ndihen përtej kufijve të saj.
Megjithatë, mbetem i bindur: vullneti i popullit do të triumfojë. Zemërimi ynë përballë padrejtësive duhet të kthehet në një strategji. Kjo strategji duhet të përfshijë ndërtimin e një kulture të re politike dhe institucioneve që nderojnë trashëgiminë demokratike të Turqisë. Nëse e arrijmë këtë, jo vetëm që do ta rimarrim demokracinë tonë në vend, por do ta ndihmojmë atë të rilindë edhe në gjithë botën.
(Autori është kryetar i zgjedhur i Stambollit dhe kandidat presidencial i Partisë Popullore Republikane (CHP) - partisë kryesore opozitare të Turqisë).



















































