Përfaqësues të Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës janë takuar të enjten me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, për të diskutuar çështjen e pagës minimale për punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që punojnë në këtë institucion.

Sipas njoftimit të sindikatës, në takim kanë marrë pjesë edhe sekretari i rektoratit dhe drejtori i prokurimit. Takimi ishte kërkuar nga sindikata për të diskutuar shqetësimet lidhur me nivelin e pagave për këta punëtorë.


Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se takimi nuk ka përfunduar sipas pritjeve të tyre. Sipas tij, rektori Hajrullahu është larguar nga takimi pa u përmbyllur zyrtarisht, duke thënë se sindikata ka shpërndarë dezinformata në publik.

“Sipas nesh rektori ka qenë i frustruar sepse ne nepër media kemi treguar realitetin dhe ai këtë e ka marrë si shantazh”, thuhet në njoftim.

Në reagimin e saj, sindikata ka bërë të ditur se rektori ka theksuar se çështja e pagave duhet të adresohet te kompania kontraktuese dhe jo te rektorati, duke shtuar se universiteti nuk mund të ndërhyjë në këtë proces deri në përfundimin e kontratës aktuale, e cila sipas tij pritet të zgjasë deri në vitin 2027.

Sindikata ka deklaruar gjithashtu se tashmë ka njoftuar Inspektoratin e Punës lidhur me pretendimet për moszbatim të pagës minimale për këta punëtorë, duke shtuar se pret që ky institucion së shpejti të publikojë një raport zyrtar për këtë çështje.

Ndërkohë, KosovaPress është interesuar të marrë edhe qëndrimin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës lidhur me këto pretendime, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.