U përfshi në incident gjatë një interviste publike, Arben Gashi del në mbështetje të Armend Zemajt

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik gjatë një interviste publike me një media, në një ambient të hapur. Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe, ndërsa Zemaj ka reaguar më vonë duke kërkuar falje për situatën dhe duke theksuar se ishte provokuar verbalisht nga një qytetar.
Ndërkohë, në mbështetje të Zemajt ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka dënuar ashpër provokimet dhe sulmet ndaj përfaqësuesve institucionalë.
“Dhuna – qoftë verbale apo në çfarëdo forme tjetër – ndaj përfaqësuesve institucionalë duhet të marrë emërtimin e merituar, sepse nuk është vetëm ndaj individit, por ndaj vetë funksionit publik që ai përfaqëson. Në një shoqëri demokratike, kritika është e domosdoshme dhe e shëndetshme, por dhuna nuk ka vend. Armendi Zemaj qëndron i palëkundur,” ka shkruar Gashi.
Incidenti, i cili ndodhi para kamerave, pritet të sqarohet nga organet e rendit. LDK ende nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar si subjekt politik, ndërsa deputeti Zemaj ka theksuar se ngjarja duhet të shërbejë si mësim për të ruajtur qetësinë dhe përmbajtjen në çdo situatë.

















































