"U bëmë horë i botës", qytetarët të indinjuar me zhvillimet politike

Disa nga qytetarët e Prishtinës këtë të diel vendosën ta kalojnë në Parkun e Gërmisë. Ndonëse ishte një ditë vikendi, ata nuk hezituan t'i shprehnin ankesat e pakënaqësitë për zhvillimet e fundit politike në vend.
Sami Bërbatovci mendon se në këtë mes duhet të bëhet një zgjidhje kombëtare dhe gjithsesi të evitohen zgjedhjet.
"Besoj që nuk është ashtu, nuk duhet me shku në zgjedhje, duhet domosdo me bërë një zgjidhje meritore, një zgjidhje kombëtare, jo një zgjidhje dosido. Nuk duhet të shkohet në zgjedhje se u bëmë horë e botës, absolut", thotë Berbatovci.
E Imer Hoxha vlerëson se populli duhet të zgjohet dhe të zgjedh më të mirin, e mbi të gjitha kërkon më shumë nga rinia.
"Oh, se ju të rinjtë tash, më fal, keni filluar edhe ju pak me politikë si këta politikanët, kishte me qenë mirë, as Lumiri, as Albini, as kush janë këta. S’po merremi fort me politikë, mbi të gjitha populli duhet me u zgju dhe me zgjedhë më të mirin...Rinia duhet me qenë më inteligjente se askush më mirë se rinia s’vlerëson. Unë mund t’i them 100 fjalë, ti me dy fjalë e thua atë çka unë e them për 100 fjalë. Dhe duhet me ditë cili është për popull. Populli do ekonomi tregu, zhvillim ekonomik, inkuadrim në botën demokratike. Janë duke u shty kush u bë e kush s'u bë. Kjo është, s’di a po e shihni, është më tepër se, po e përdor fjalën shumë, katastrofë. Po është më tepër se katastrofë nëse ju të rinjtë nuk jeni duke e ditë", thotë Hoxha.
Sipas Brahim Mustafës, kemi shumë halle tjera përveç politikës. Ai iu bën thirrje liderëve politikë t'i lënë inatet mes tyre dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
"Normalisht duhet me gjet një gjuhë të përbashkët të gjithë siç janë, duhet me u ulë edhe normalisht mos me na dëmtu kaq shumë, se normalisht zgjedhjet na dëmtojnë shumë, jo pak, po shumë. Kemi shumë halle të tjera të cilat duhet me i zgjidhë, po fatkeqësisht, çka di unë ku ia kanë qitë fundin...Shumica e tyre, unë mendoj, janë inatet me njëri-tjetrin. Kjo është, e din, çka e kemi ne si popull, po edhe këta në aspektin politik po i marrin të njëjtat gjëra. Këtu duhet me i lënë inatet, me i lënë ato interesat e tyre që janë politike, me u ulë me gjetë gjuhë të përbashkët, sepse qysh i ka dënu’ populli një herë, do të besoj që edhe tash kanë me marrë një dënim shumë të merituar që nuk ma merr mendja që është mirë me shku këtij drejtimi", u shpreh Mustafa.
Ndërkohë, Enver Halimi ka një kandidate të preferuar për presidente e që sipas tij, ajo e meriton këtë post.
"Kisha propozu Vjosa automatikisht me u drejtu edhe me u bë ministre, eh, kryetare. Përndryshe, ai Kurti po mundohet me i bë të gjitha këto, po kush i ka fajet tash ne nuk e dimë si qytetarë, veç Vjosa e meriton me qenë kryetare se u afru me Amerikë edhe na ndihmon. Kaq...Partitë politike duhen më tepër me qenë të vetëdijshëm, populli ka dëshirë me u zgjidh kjo situatë më shpejt edhe me ec përpara", theksoi Halimi.
Se duhet të ketë unitet mes krerëve politikë e thotë edhe Masar Bytyçi.
"Ata duhen me u afru mes vete, me u marrë vesh, jo me u largu njëri me tjetrin. Qysh e ka pas ai Fishta më përpara, i mbledh 50 pleshta se dy shqiptarë", deklaron Bytyçi.
Derisa, Mirsad Gashi vlerëson se kjo është zvarritje e procesit dhe bllokim i shtetit.
"Veç një farë zvarritje e procesit, sa me blloku shtetin sa më shumë, se zgjedhjet s’ma merr mendja diçka që mund me bë rreth kësaj dite. Nëse kishin dashtë me bë, kishin bë në fillim, jo me shty në afat të fundit me i lënë. Për mendimin tim, veç lojnë aty kot janë, si partitë e tjera, si e para, si e dyta, si e treta. Për mendimin tim, ishte qenë më mirë mos me pas zgjedhje", potencon Gashi.
Gjatë kohëve të fundit, në vend ka pasur polemika të shumta mes partive politike për zgjedhjen e presidentit, derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat kushtetues për zgjedhjen e shefit të shtetit.
Ndërkohë, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës është Albulena Haxhiu, e cila njëkohësisht mban postin edhe të kryetares së Kuvendit.



















































