LAJMI I FUNDIT:

Twitter prezanton dizajnin e ri

Twitter prezanton dizajnin e ri

Twitter ka njoftuar se prej sot do ta lansojë dizajnin e ri të profilit të përdoruesve, për t’ua mundësuar përdoruesve të rrjetit social të tregojnë se kush janë ata në të vërtetë. Disa e kanë vlerësuar pamjen e re të Twitter të ngjashme me atë të rivalit të saj Facebook.

Lajmi për dizajnin e ri të profileve vjen pas ndryshimeve të nisura në shkurt të këtij viti, kur rrjeti social kishte filluar me ndryshimin e pamjes, e cila është bërë më e bardhë, dhe butonat në faqe, të cilët janë rritur.

Në ndryshimin e fundit përdoruesit e kanë mundësinë e cilësimit të cicërimave të tyre në faqen e profilit të tyre personal.

Faqja e profilit në Twitter tani do të shfaq fotografi më të mëdha me prapavijë e cila mund të personalizohet, ndërsa njëra ndër risitë në versionin e ri të faqes është edhe shfaqja e cicërimave më të mira të përdoruesit, ato që kanë marrë më së shumti interaksion, për tu gjetur më lehtë nga përcjellësit e një profili të caktuar.


Profilet e reja të përdoruesve tashmë janë testuar me disa përdorues, ndërsa rrjeti social ka njoftuar se secili prej nesh që është aktiv në Twitter do t’i pranojë ndryshimet në profil gjatë javëve në vazhdim.

Përdoruesit e rinj të Twitter do të fillojnë përdorimin e profileve të reja që në fillim. / Telegrafi /