LAJMI I FUNDIT:

Turqia planifikon të rifillojë hapjen e xhamive, “Dyanet-i” turk tregon edhe datën

Turqia planifikon të rifillojë hapjen e xhamive, “Dyanet-i” turk tregon edhe datën

Kreu i organit të lartë fetar të Turqisë, Diyanet, njoftoi të premten se planifikojnë për të rihapur xhamitë për lutjet e përbashkëta më 12 qershor, pas një ndërprerje tre-mujore të njoftuar për shkak të shpërthimit të coronavirusit.

“Ndërsa kemi prioritet shëndetin tonë, shpresoj se do të jemi në gjendje të kthehemi në xhamitë tona sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë kreu i Diyanet, Ali Erbash, shkruan Daily Sabah, përcjell Telegrafi.


Sidoqoftë, ai shtoi se nuk duket se është e mundur tani për të lejuar lutjet e Bajramit, një lutje speciale me xhemat në mëngjesin e Fitër Bajramit, duke u kërkuar qytetarëve të kufizojnë vizitat e tyre tek të afërmit gjatë festës.

Më 16 mars, Diyanet kishte njoftuar një ndalim mbarëkombëtar të tubimeve të lutjeve, përfshirë lutjet e së Premtes, në vazhdën e shpërthimit të coronavirusit.

Po sipas Daily Sabah, vendet myslimane kanë filluar të lehtësojnë masat në xhami ndërsa rastet zvogëlohen.

Malajzia këtë javë lejoi 88 xhami të mbajnë lutjet e së Premtes, ndërsa Pakistani hoqi kufizimet në lutjet e xhematit në xhami në fillim të Ramazanit.

Deri të enjten, 4,007 njerëz kishin vdekur për shkak të COVID-19 në Turqi, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara qëndron në 144.749 me 104.030 të shëruar.

Turqia nuk ka imponuar një bllokim të rreptë mbarëkombëtar që nga raportimi i rastit të parë të saj pozitiv më 11 mars, duke vendosur “shtetrrethim” të fundjavës në 31 provinca dhe qytete. Ajo gjithashtu kufizoi udhëtimin midis atyre qyteteve. /Telegrafi/