Turqia mposht Serbinë për pozitën e parë - Osmani dhe Spahiu kontribuuan në fitore

Turqia ka regjistruar fitoren e pestë radhazi në fazën e grupeve të Eurobasket, pasi mposhti Serbinë në Riga me rezultat 95:90, në derbin e Grupit A.
Kjo humbje e dërgon Serbinë në vendin e dytë të grupit, duke i dhuruar një kundërshtar më të vështirë në fazën e eliminimit direkt: Finlandën në raundin e 16-të. Ndërkohë, Turqia do të ketë përballë Suedinë, e cila arriti vetëm një fitore në fazën e grupeve.
Edhe pse Turqia nuk e nisi mirë, u rikthye shpejt falë paraqitjes së shkëlqyer të Alperen Sengun, duke kaluar për herë të parë në epërsi (13:11), ndërsa çereku i parë u mbyll me rezultat 19:18.
Në periudhën e dytë, Serbia arriti të rikthejë kontrollin falë Nikola Jokić, duke shkuar në pushim me avantazh 49:46. Lufta e fortë vazhdoi edhe në çerekun e tretë, ku epërsia ndryshonte shpesh mes skuadrave.
Turqia hyri në dhjetë minutat e fundit me një pikë më shumë (74:73).
Çereku i fundit ishte dramatik. Serbia mori përsëri epërsinë (83:79), por turqit nuk u dorëzuan. Katër minuta para fundit, Serbia kryesonte 88:84, por Turqia reagoi me Cedi Osman, Sehmus Hazer dhe në fund me Sengun, i cili u tregua vendimtar në minutat e fundit.
Alperen Sengun ishte lojtari më i spikatur për Turqinë, me 28 pikë, 13 kërcime dhe 8 asistime. Dyshja shqiptare që luajnë për Turqinë, Erxhan Osmani (10 pikë) dhe Kenan Spahiu (5 pikë), po ashtu dhanë kontribut në këtë fitore.
Me këtë fitore, Turqia konfirmon formën e shkëlqyer dhe shkon në fazën e eliminimit direkt si kryesuese e Grupit A. /Telegrafi/











































