Sezoni turistik në Durrës është cilësuar pozitiv, por me disa kontraste që e bëjnë të ndryshëm nga vitet e shkuara.

Nga njëra anë, qyteti bregdetar vijon të mbetet destinacioni kryesor i pushimeve, por mungesa e dukshme e pushuesve nga diaspora dhe Kosova ka lënë boshllëqe në treg. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo kategori vizitorësh ka qenë rreth 20% më pak.


Megjithatë, rënia është kompensuar nga shtimi i turistëve të huaj. Përveç tregjeve tradicionale si Italia, Polonia, Çekia apo Austria, këtë vit Durrësi ka mirëpritur vizitorë të rinj nga Anglia dhe Franca, çka tregon një interes më të madh të Europës Perëndimore për rivierën shqiptare.

Blerim Norja, përfaqësues i sektorit turistik në Durrës, thotë se zgjatja e sezonit ka qenë elementi kryesor i këtij viti.

“Rezervimet e fundit janë nga fundi i muajit tetor, të cilët janë turistët nordikë, që preferojnë periudhën e vjeshtës për të ardhur në Durrës. Këtë vit sezoni është zgjatur me 2 muaj, kemi filluar një muaj më herët me turistët austriak në muajin prill dhe e mbyllim me turistët nordikë në tetor”, thotë Norja

Sipas tij, kjo risi ka ndryshuar jo vetëm kalendarin e punës së strukturave hoteliere, por edhe bilancin.

“Në fund të sezonit bilanci do të jetë 10 deri në 20% më shumë sesa viti i kaluar, sepse automatikisht me zgjatjen e sezonit është rritur dhe numri i turistëve”, shprehet Norja.

Turizmi në Durrës po fiton gjithnjë e më shumë terren në tregun ndërkombëtar, duke e kthyer qytetin bregdetar në një destinacion që nuk kufizohet më vetëm tek sezoni veror./Euronews Albania/