Presidenti amerikan, Donald Trump dha shpjegimin më të qartë deri më tani se pse i ndërpreu marrëdhëniet me pedofilin tashmë të ndjerë, Jeffrey Epsteinin.

“Nuk kam folur prej vitesh me Jeffrey Epsteinin. Nuk kam folur me të sepse bëri diçka të papërshtatshme. Punësoi stafin tim dhe unë i thashë: ‘Mos e bëj më kurrë këtë.’ Ai më ‘vodhi’ njerëzit që punonin për mua. E bëri përsëri. Dhe e përzura. U bë person i padëshiruar”, u shpreh Trump për gazetarët gjatë një vizite në Skoci.


“Jam i lumtur që e bëra këtë, nëse doni të dini të vërtetën,” shtoi lideri amerikan, duke folur nga njëri prej klubeve të tij tregtarë të golfit.

Epstein, pedofil i dënuar, vdiq në vitin 2019 ndërsa priste gjykimet për raste të tjera, raportojnë mediat e huaja.

Trump përballet me presione për të bërë publik dosjen e plotë të Epsteinit, por ende nuk e ka bërë, gjë për të cilën kritikohet nga demokratët, por edhe nga disa përkrahës të tij.

Ai u pyet sërish nëse do të falte bashkëpunëtoren afatgjatë të Epsteinit, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim prej 20 vitesh për trafikim njerëzor.

“Kam të drejtën ta fal. Por, askush nuk ma ka propozuar. Askush nuk më ka pyetur për këtë. Është përmendur në media. Por tani për tani nuk është e përshtatshme të flas për këtë,” tha ai.

Maxwell javën e kaluar ka folur dy herë me zëvendësprokurorin e Përgjithshëm, Todd Blanche. Thuhet se asaj i është dhënë imunitet i kufizuar dhe është marrë në pyetje për 100 persona, por Departamenti i Drejtësisë nuk ka bërë publike detajet e këtyre bisedave. /Telegrafi/