Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pohuar se tani është përgjegjës për t'i dhënë fund tetë luftërave, ndërsa vizitoi Malajzinë për të mbikëqyrur nënshkrimin e një marrëveshjeje të zgjeruar armëpushimi midis Tajlandës dhe Kamboxhias.

“Kjo është një nga tetë luftërat që administrata ime i ka përfunduar në vetëm tetë muaj - mesatarisht po zhvillojmë një në muaj, ka mbetur vetëm një”, tha Trump ndërsa mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.


"Nuk më vjen ndërmend ndonjë president që ka zgjidhur ndonjëherë një luftë... ata fillojnë luftëra, nuk i zgjidhin ato."

Presidenti amerikan, i cili këtë verë ndihmoi në negocimin e armëpushimit për të zgjidhur mosmarrëveshjen kufitare midis Kamboxhias dhe Tajlandës, vazhdoi duke thënë: "Në emër të Shteteve të Bashkuara, jam krenar që ndihmoj në zgjidhjen e këtij konflikti."

Ndryshe, ceremonia për nënshkrimin e marrëveshjes në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, u zhvillua menjëherë pasi Trump mbërriti për samitin e ASEAN, duke e përshkruar atë si një "ditë të rëndësishme".

"Pati shumë vrasje. Dhe pastaj i ndaluam, shumë shpejt", tha ai, përpara se kryeministri kamboxhian Hun Manet dhe kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul të nënshkruanin marrëveshjen.

"Ne bëmë diçka që shumë njerëz thanë se nuk mund të bëhej", shtoi presidenti amerikan.

Ndryshe, marrëveshja e armëpushimit kërkon që Tajlanda të lirojë 18 ushtarë kamboxhianë të robëruar dhe që të dy vendet të fillojnë tërheqjen e armëve të rënda nga kufiri. /Telegrafi/