Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se tarifa prej 80 për qind mbi mallrat kineze duket si e drejtë, duke sugjeruar për herë të parë një alternativë konkrete ndaj tarifave prej 145 për qind që ai kishte vendosur mbi importet nga Kina, përpara bisedimeve mes dy vendeve që do të zhvillohen gjatë fundjavës.

Ministri amerikan i financave, Scott Bessent, dhe kryenegociatori për çështjet tregtare, Jamieson Greer, do të takohen në Zvicër me zyrtarin kryesor ekonomik të Kinës, He Lifeng, për të diskutuar rreth frenimit të luftës së dëmshme tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, e cila tashmë ka ndikuar në zinxhirët globalë të furnizimit.


E pyetur se si arriti Trump në shifrën 80 për qind, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se “është një shifër që presidenti e ka propozuar dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë këtë fundjavë”.

Megjithatë, Trump theksoi se nuk do t’i ulë tarifat për Kinën në mënyrë të njëanshme. “Duhet të shohim edhe lëshime nga ana e tyre”, tha presidenti amerikan, shkruan bbc.

Kina, gjithashtu, po dërgon një zyrtar të lartë të sigurisë publike në bisedimet që do të mbahen në Gjenevë, sipas një burimi të njohur me planet. Ky zhvillim, i publikuar fillimisht nga Wall Street Journal, thekson rëndësinë e çështjes së tregtisë së fentanilit në negociata dhe në marrëdhëniet më të gjera mes SHBA-së dhe Kinës.

Trump e ka përmendur fentanilin si arsye për vendosjen fillestare të tarifave ndëshkuese mbi mallrat nga Kina, Kanadaja dhe Meksika më herët këtë vit, raporton Reuters.

Bisedimet gjatë fundjavës vijnë pas marrëveshjes së parë të liderit amerikan me një partner të rëndësishëm tregtar: shpalljes së një pakti me Mbretërinë e Bashkuar të enjten. Edhe pse kjo nxiti njëfarë optimizmi në tregje, marrëveshja ishte me përmasa të kufizuara dhe një sërë detajesh mbeten ende për t’u sqaruar. /Telegrafi/