Trump në Bordin e Paqes: Kam përfunduar tetë luftëra - përfshirë Kosovë‑Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në takimin e parë zyrtar të strukturës së re ndërkombëtare “Bordi i Paqes”, ku bëri bilancin e diplomacisë globale, duke pretenduar se ka arritur të ndalë tetë konflikte ndërkombëtare gjatë periudhës së fundit të udhëheqjes së tij politike.
Në fjalimin para liderëve botërorë dhe zyrtarëve të pranishëm në Uashington, Trump listoi konfliktet që sipas tij janë “përfunduar”, përfshirë edhe atë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shembull, Kosovë-Serbi, e kam bërë këtë. A mund të ngriteni ju lutem? Kosova-Serbia. Ju vlerësojmë. Dhe po ia dilni, e kur nuk ia dilni, më thirrni e ne do ta zgjidhim”, ka thënë ai.
Sipas deklaratës së presidentit amerikan, tetë luftërat që ai ka ndalur janë edhe Izrael-Iran, Izrael-Hamas, Egjipt-Etiopi, Indi-Pakistan, Ruanda-Republikë Demokratike e Kongos, Armeni-Azerbajxhan, Kamboxhia-Tajlanda, shkruan skynews.
Trump theksoi se këto rezultate, siç i quajti ai, “çojnë drejt një epoke të re paqeje globale” dhe i bëri thirrje pjesëmarrësve të Bordin të intensifikojnë bashkëpunimin për paqe dhe stabilitet në mbarë botën.
Takimi inaugurues i Bordit të Paqes po mbahet sot në Uashington, ku morën pjesë përfaqësues nga mbi 45 vende, përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ky është takimi i parë zyrtar i Bordit të Paqes - një nismë ndërkombëtare e prezantuar nga lideri amerikan, i cili synon të krijojë një platformë globale për dialog dhe zgjidhje të konflikteve, duke filluar me situatën në Gaza dhe më gjerë. /Telegrafi/




















































