Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se udhëheqësit iranianë nuk kanë arritur ende një marrëveshje me SHBA-në për t'i dhënë fund luftës së vazhdueshme sepse janë "të fortë" dhe "krenarë", por në fund të fundit, shtoi ai, "ata nuk kanë zgjidhje tjetër" përveçse të arrijnë një marrëveshje.

"Ata janë të fortë, janë krenarë, ka gjëra që nuk mendonin kurrë se do t'i bënin, por që do të duhet t'i bëjnë. Nuk kanë zgjidhje tjetër dhe u duhet pak kohë", i tha presidenti moderatores së emisionit "Meet the Press" të NBC News, Kristen Welker, gjatë një interviste në Chippewa Falls, Wisconsin.


Komentet e Trumpit vijnë ndërsa udhëheqësit amerikanë dhe iranianë kanë negociuar për t'i dhënë fund luftës, e cila hyri në muajin e katërt javën e kaluar.

Të dy vendet ranë dakord për një armëpushim në prill , i cili është zgjatur disa herë, megjithëse tensionet u rritën ditët e fundit kur SHBA-të dhe Irani shkëmbyen sulme pranë Ngushticës së Hormuzit.



Konflikti i vazhdueshëm e shtyu Iranin muaj më parë të mbyllte Ngushticën e Hormuzit, një kalim detar vendimtar për anijet cisternë të naftës.

Mbyllja e ngushticës ka çuar në rritjen e çmimeve të naftës në nivel global dhe rritjen e çmimeve të gazit në SHBA , duke ushtruar presion mbi Trumpin dhe udhëheqësit republikanë në Uashington për të lehtësuar presionin ekonomik për amerikanët.

Gjatë intervistës, Trump kritikoi ata që po e nxisin të arrijë shpejt një marrëveshje me Iranin për t'i dhënë fund konfliktit, duke thënë: "Duhen vite për t'i bërë këto gjëra".

"Këta njerëz kanë luftuar për 47 vjet. Ata kanë vrarë amerikanë", tha presidenti, duke iu referuar udhëheqësve iranianë.

Ai vazhdoi të krahasonte kohëzgjatjen e këtij konflikti me Luftën e Vietnamit, duke thënë: "Po eci shumë shpejt. Jemi në muajin e tretë. E dini, Vietnami zgjati 19 vjet”.

Trump shtoi se deri më tani në konflikt, SHBA-të e kanë “shkatërruar plotësisht ushtrinë e Iranit”, por shtoi se Irani ende ka disa raketa dhe dronë. /Telegrafi/