Tronditje te Barcelona: Ter Stegen mund të largohet gjatë janarit

Sipas raportimeve nga Gjermania, të përcjella nga “Mundo Deportivo”, portieri gjerman Marc-Andre ter Stegen mund të largohet nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit.
33-vjeçari pritet të rikthehet nga lëndimi në dhjetor, por aktualisht duket se nuk është më pjesë e planeve kryesore të trajnerit Hansi Flick, i cili i ka dhënë përparësi të riut Joan Garcia.
Klubi katalunas raportohet se është i hapur për shitjen e tij, me qëllim uljen e faturës së pagave, pasi Ter Stegen mbetet një nga lojtarët më të paguar në skuadër.
Portieri gjerman është pjesë e Barcelonës që prej vitit 2014, duke fituar një numër të madh trofesh, përfshirë La Ligën dhe Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, me Garcian që po konsolidohet si zgjedhja e parë në portë, drejtuesit e klubit e shohin largimin e mundshëm të Ter Stegen si një zgjidhje të leverdishme për të dyja palët.
Ende nuk dihet se cilat skuadra kanë shprehur interesim për Ter Stegen, me këtë të fundit që është kërkuar ndër vite në Ligën Premier.
Raporti shton se nëse Flick nuk ndryshon qasje për portierin kryesor, atëherë Ter Stegen në janar do të bëhet me klub të ri./Telegrafi/


















































