Tripunovski: Sezoni i fundit i blerjes së duhanit ishte ndër më të suksesshmit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, thotë se sezoni i fundit dhe parafundit i blerjes së duhanit janë ndër më të suksesshmit deri më tani.
Në një intervistë për emisionin “Agrar”, Tripunovski thekson se çmimi mesatar i blerjes është rreth 420 denarë.
“Në të kaluarën pamja ishte traktorë në rrugë, pakënaqësi dhe çmime blerjeje shumë më të ulëta se sot. Sot kemi blerje të duhanit ku, në përputhje me cilësinë, shkohet në klasë të parë pa zbritje. Çmimi mesatar i 21 milionë kilogramëve duhan të blerë deri tani është 419,84 denarë”, theksoi ministri Tripunovski.
Ai kujtoi se gjatë këtij viti prodhuesit e duhanit përfituan edhe naftë të gjelbër si masë stimuluese dhe kompensuese për shpenzimet e prodhimit. Gjithashtu, në Program u përfshi edhe masa për sipërfaqe, prej 6.000 denarësh për hektar, që përfaqëson një stimul shtesë, përkatësisht të ardhura shtesë për prodhuesit e duhanit.
“Kur gjithçka përmblidhet, arrijmë në një shumë mbi 500 denarë për kilogram, që vitin e kaluar përfaqësonte një arritje rekord”, theksoi ministri.
Ministri Tripunovski theksoi se po e ndjek zërin e prodhuesve të duhanit dhe se te ata ka kënaqësi, por paralajmëroi edhe hapa shtesë për përmirësimin e sektorit.
“Pas festave do të punohet në saktësimin e mëtejshëm të disa dispozitave ligjore në Ligjin për duhanin dhe produktet e duhanit, me qëllim eliminimin e mangësive që i kemi vërejtur në periudhën e kaluar”, paralajmëroi ai.
Ministri shtoi se do të formohet një grup pune ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Shoqata e prodhuesve të duhanit dhe nga blerësit, me qëllim që sezoni i ardhshëm i blerjes të jetë edhe më i rregulluar dhe më i suksesshëm.


































