Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, më 2 korrik do ta mësojë kundërshtarin e saj të parë në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Shorti do të hidhet në Lozanë të Zvicrës.

Trepça do të përballet me një nga këta kundërshtarë të mundshëm: Bakken Bears, Heroes Den Bosch, Kalev/Cramo, Kutaisi 2010, Patrioti Levice, Petrolina AEK Larnaca apo Rilski Sportist.


Kjo është hera e dytë radhazi që Trepça përfaqëson Kosovën në fazën kualifikuese të FIBA Champions League.

Skuadra nga Mitrovica ka bërë hapa të rëndësishëm në basketbollin evropian dhe synon një arritje historike këtë vit.

Objektivi kryesor i Trepçës është kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Për këtë sfidë, klubi pritet të përforcojë radhët e ekipit për të qenë sa më konkurrues në nivel ndërkombëtar.

Tifozët "Torcida" janë të entuziazmuar dhe shpresojnë se ky sezon do të sjellë suksesin më të madh ndërkombëtar për klubin. /Telegrafi/

telegrafi sport app