LAJMI I FUNDIT:

Trendi i ri i trajtimit të mbipeshës, pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike!

Trendi i ri i trajtimit të mbipeshës, pa pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjike!

Dr.med.univ. Qendrim Zahiri
Specialist i mjekësisë interne dhe asaj familjare
Bahnhofstrasse 78, 8803 Rüschlikon – Zürich
info@praxisdrzahiri.com ose info@praxisdrzahiri.ch

Në ShBA dhe vendet e Evropës qendrore, që nga fundviti 2021 përkatësisht fillimi i 2022, u aprovuan medikamentet e grupit të ashtuquajtur Agonistët e receptorëve GLP-1 (Semaglutid), për mjekim të obezitetit, të cilët parimisht përdoren për mjekimin e Diabetit melit tip 2. Që nga kjo kohë, këto ilaçe po bëhen me të pakta në treg – edhe për shkak se semaglutidi po përdoret gjithnjë e më shpesh në përdorim jashtë etikës, apo siç thuhet në mjekësi “off label use” nga njerëzit me mbipeshë.


Kjo klasë e ilaçeve po bëhen gjithnjë e më e kërkuar si një “life-style-medikament“ edhe tek ata persona të cilët nuk vuajnë nga mbipesha, por dëshirojnë të humbin disa kilogram.

Çfarë duhet të dini për këtë trend “off label use” i cili po ‚përqafohet‘ gjithnjë e më tepër?

Agonistët e receptorëve GLP-1 janë të suksesshëm në ndihmën e kontrollit te diabetit dhe humbjes së peshës duke rritur ndjenjën e ngopjes dhe duke reduktuar urinë dhe apetitin. Njëri nga këto preparate është edhe Semaglutidi, i cili përdoret me emrin Ozempic® për terapinë e diabetit – në doza më të larta – me emrin Wegovy® edhe për trajtimin e obezitetit.

Agonistët e receptorieve GLP-1 si semaglutidi janë të suksesshëm në kontrollin e diabetit dhe humbjes së peshës!

Mirëpo duhet të bëhet një dallim: Ka njerëz që kanë probleme shëndetësore për shkak të obezitetit dhe kanë provuar gjithçka që është e mundur për të humbur peshë – pa sukses. Për këta njerëz, një ilaç që mund t’i ndihmojë ata të humbin peshë në fakt ka shumë kuptim. Një humbje e tillë e peshës e mbështetur nga ilaçet duhet sigurisht të përfshihet në një koncept mjekësor që përfshin gjithashtu rritjen e aktivitetit fizik dhe një dietë me kalori të reduktuara.

Ndërkohë, në disa vende sidomos në ShBA vërehet mungesë e preparatit Semaglutide për shkak të përdorimit jashtë etiketës (off label use). Megjithatë, besoj se problemi themelor, është se shumë njerëz që e marrin nuk i plotësojnë kriteret e obezitetit. Ndoshta të tillët nuk janë fare mbipeshë, ose thjesht pak. Ozempic® promovohet, për shembull, nga të famshëm si Elon Musk dhe yjet e Hollivudit nëpërmjet platformave sociale si TikTok.

Megjithatë, këta njerëz nuk kanë vërtet problem me mbipeshën, e përdorin ilaçin vetëm për të humbur disa kilogramë më shumë. Ky është një përdorim krejtësisht i gabuar i ilaçit dhe gjithashtu dërgon një mesazh të rrezikshëm dhe të gabuar për botën. Vetëm hashtagu #Ozempic është shpërndarë 350 milionë herë në rrjetet sociale.

Kush duhet ta rekomandojë këtë ilaç për përdorim?

Në vendet e Bashkimit Evropian dhe Zvicër rekomandimi e këtij ilaçi bëhet ekskluzivisht vetëm nga profesionistët e fushës, kryesisht nga endokrinologët dhe internistët, të cilët kanë përvojë në këtë drejtim, si dhe në qendra të obezitetit.

Ekzistojnë kufij të qartë për miratimin e semaglutidit për trajtimin e obezitetit.

Një opsion është për njerëzit me një indeks të lartë të masës trupore (BMI mbi 30), që do të thotë se këta persona vërtete janë obez ose me mbipeshë. Opsioni tjetër janë personat me BMI mbi 27, të cilët kanë sëmundje të lidhura me obezitetin, si presioni i lartë i gjakut ose nivelet e larta të kolesterolit. Medikamenti zakonisht preferohet në një gjendje të mossuksesit pas zbatimit të një diete me kalori të reduktuara dhe rritjes së aktivitetit fizik për 3 muaj.

Rreziqet që lidhen me përdorimin e pakontrolluar pa indikacion

Rreziqet specifike që lidhen me përdorimin e semaglutidit janë kryesisht çrregullime gastrointestinale, të përziera, dhimbje barku dhe diarre. Pasojat mund të jenë edhe inflamacioni i pankreasit dhe sëmundjet e fshikëzës së tëmthit. Ndonjëherë mund të shfaqen edhe gurë në tëmth. Nëse keni tendencë për gurë në tëmth, duhet të keni kujdes me marrjen e tij.

Në studimet me kafshë laboratorike është gjetur gjithashtu një rrezik potencial në rritje të llojeve të caktuara të kancerit të tiroides.

Sigurisht, këto rreziqe mund të ndodhin edhe tek ata për të cilët është krijuar ilaçi. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që aplikimi i medikamentit të kontrollohet nga profesionistet e fushës. Duhet patur parasysh gjithashtu se kur e trajtojmë një person që peshon 50 kg me këtë ilaç, përqendrimet e barit do të jenë të ndryshme, sesa kur e trajtojmë një person me peshë 200 kg.

Semaglutid, preparati më efektiv për humbje peshe

Në studimet e mëdha klinike, siç është studimi STEP-1, humbja e peshës nën terapinë me semaglutid ishte 14.9% pas 68 javësh. Aplikohet si një injeksion subkutan (nënlëkurë) në një dozë ideale prej 2.4 mg një herë në javë dhe i shoqëruar me ndryshime të stilit të jetesës. Grupi placebo (grupi krahasues tek i cili nuk u aplikua ilaçi, por u ndërrua vetëm stili i jetës) humbi vetëm 2.4% gjatë së njëjtës periudhë.

Në disa raste, humbja e peshës vërehet edhe me barna të tjera nga i njëjti grup përbërësish aktivë, por humbja e peshës është veçanërisht e qartë me semaglutid.

Në Cyrih, tanimë kam disa pacientë të cilët trajtohen me Ozempic nën kontrollin e vazhdueshëm profesional nga ana ime. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë rrezik të madh nga aplikimi i këtij ilaçi, edhepse është shumë herët të flitet për rreziqet afatgjata. Për këtë arsye aplikimi i këtij medikamenti mbetet si “off-label-use“, dhe kërkohet pëlqimi me shkrim nga ana e pacientit para se të fillohet me përdorimin e terapisë.

Është e rëndësishme të ceket se, gjatë terapisë duhet vazhdimisht të kontrollohen parametrat e caktuar laboratorik, në mënyrë që të kemi mundësi që t’i diagnostikojmë dhe shmangim qysh në fillim rreziqet serioze që mund të shkaktohen nga ky preparat.

Në Zvicër koston e mjekimit me Ozempic tek pacientët me mbipeshë, të cilët i plotësojnë kriteret e lartcekura, kryesisht i paguan sigurimi shëndetësorë, mirëpo kemi edhe shumë pacientë të cilët nuk i plotësojnë ato kushte, ndonëse dëshirojnë ta marrin ilaçin. Në këtë rast, koston e medikamentit e bartë vet personi. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori