LAJMI I FUNDIT:

Tregu i deformuar i pagave në Shqipëri, punët elementare me rritjen më të lartë, “bie vlera” e shkollës

Tregu i deformuar i pagave në Shqipëri, punët elementare me rritjen më të lartë, “bie vlera” e shkollës

Kërkesa e menjëhershme për punonjës në sektorin e turizmit dhe ndërtimit, ka rritur pagat për profesionet elementare më shpejt se sa për profesionistët e kualifikuar.

Emigracioni i lartë i moshave të reja dhe kërkesa e lartë për punë pa kualifikim po deformon tregun e pagave, ku teknikët dhe punonjësit e pastrimit po paguhen sa inxhinierët dhe ekonomistët, raporton Monitor.

Në vitin 2014, paga e specialistëve me arsim të lartë ishte sa 135% e pagës mesatare, ndërsa në tremujorin e parë 2024 paga e kësaj kategorie ishte sa 129% e pagës mesatare.


Në vitin 2014, paga e profesioneve elementare ishte sa 56% e pagës mesatare, ndërsa në 2024 ishte sa 65% e pagës mesatare.

Profesionet elementare karakterizohen nga informaliteti i lartë, teksa paga reale në shumë prej tyre aktualisht është në nivelin e pagës mesatare 73,641 lekë ose sa 150% e saj (punëtorët e ndërtimit).

Ekspertët lajmërojnë për kërkesë të lartë në profesionet elementare dhe stanjacion në nivelet e larta të menaxhimit

Kufizimet në tregun e punës për profesionistët e nivelit të lartë dhe rritja e ofertës për profesione që nuk kanë shumë aftësi, po deformojnë tregun e pagave.

Mungesa e fuqisë punëtore pa shumë kualifikim dhe zhvillimi i sektorëve që nuk kërkojnë punonjës të kualifikuar, ka barazuar pagën e teknikut me atë të inxhinierit dhe të punonjësve të pastrimit me atë të ekonomistit.

Përqendrimi i rritjes ekonomike vetëm në dy sektorë, turizëm dhe ndërtim, ka ngushtuar mundësitë për profesionistët dhe menaxherët e nivelit të lartë nga sektorë të tjerë, teksa po rrit ofertën për profesione elementare.

P.sh. një kamerier në strukturat hoteliere në zonat bregdetare, paguhet jozyrtarisht nga 800 deri në 1000 euro në muaj dhe një pastruese deri në 700.

Gjithashtu, një punonjës stalle në blegtori në zonën e Fierit paguhet deri në 700 euro në muaj, ndërkohë një ekonomist në Tiranë në vitin e parë të punës nuk merr më shumë se 500 euro në muaj.

Mungesat në burimet njerëzore, kryesisht për postet më të ulëta kanë prishur sistemet e referimit të pagave që zotëronte çdo kompani dhe ka shtuar nevojën për fleksibilitet në ofertimin e pagave.

P.sh., më parë, një kompani prodhimi e kishte të përcaktuar qartë nivelin e pagës që do t’i ofronte një inxhinieri apo një tekniku elektrik.

Kompania ruante me fanatizëm sistemin e saj të pagave, por tani ndodh shpesh që një tekniku të mesëm mund t’i ofrojë një pagë gati apo të njëjtë me inxhinierin (junior), tha Alma Sulçe, themeluese dhe drejtuese e kompanisë Albanian HR Solutions sh.p.k., me përvojë 23-vjeçare në fushën e burimeve njerëzore.

Znj. Sulçe referoi se shumë profesione të mesme teknike: si hidraulikë, elektrikë, mekanikë, etj., punojnë të pavarur (të vetëpunësuar), me punë me orare fleksibël, mund të kenë të ardhura mujore më të larta se pagat e punonjësve me arsim të lartë, që janë të punësuar me kohë të plotë.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2024, paga për profesione elementare u rrit me 53% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Profesionet elementare karakterizohen nga niveli i lartë i informalitetit.

Shumica e tyre paguhen zyrtarisht me pagën minimale ose tërësisht në të zezë, teksa paga reale për profesionet elementare varion nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë neto në muaj.

Profesionet elementare lidhen me punë që mësohen për një javë dhe nuk kërkojnë përvojë, të tilla si punonjësit e pastrimit, punonjësit në ndërtim dhe industri.

Ekspertët e burimeve njerëzore pohojnë se kategoria e profesioneve elementare gjen punë më shpejt se ato me arsim të lartë dhe kanë gjasa të marrin paga të barabarta ose më shumë.

Po sipas INSTAT, nga tremujori i parë 2024, pagat e specialistëve me arsim të lartë arritën 95 mijë lekë bruto në muaj, me rritje 38% nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

Kjo kategori punonjësish, që përfaqësohet më së shumti edhe nga punonjësit në arsim dhe shëndetësi, nuk punon në informalitet dhe ka përfitime neto rreth 700 euro në muaj që shpesh është në të njëjtat nivele me një punonjës pastrimi, apo kamerieri.

Teksa tregu i punës po zgjerohet në paga dhe në ofertë për profesionet elementare, nuk ndodh kështu për menaxherët e nivelit të lartë.

Tregu në Shqipëri po ofron fleksibilitet në ofertën e punës dhe paga për punonjës me profesione elementare, pa shumë aftësi, teksa për CEO-t dhe menaxherë të nivelit të lartë ka një stanjacion të ofertës.

Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në EPPC Albania and Kosovo, një nga kompanitë më të mëdha për burimet njerëzore, tha se, tregu i punës për drejtues ekzekutivë dhe menaxherë të lartë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me hyrjen e operatorëve të mëdhenj në treg, të cilët po mungojnë këto kohë.

Kërkesa për rekrutim të profesionistëve aktualisht i ka sektori i ndërtimit dhe zinxhirët e tij që kanë nxitur punësimin e inxhinierëve dhe teknikëve.

Pagat rriten më shumë për profesionet elementare

Të dhënat e Censit 2023, treguan se popullsia e vendit nuk është më shumë se 2.4 milionë banorë nga 2,73 milionë që njiheshin zyrtarisht. Censi zbuloi se popullsia e mbetur gjithashtu është plakur shumë.

Nga viti 2011 deri më 2023, mosha mesatare e popullsisë ka arritur 42.5 vjeç, duke u plakur me 7 vite.

Me pak njerëz në dispozicion, ekonomia duhet të orientohet në sektorë që nxisin teknologjinë dhe inovacionin, në vend të degëve që kërkojnë krah të lirë pune.

Por historikisht ekonomia e vendit tonë, është zhvilluar në sektorë që nuk kërkojnë shumë aftësi.

Emigrimi dhe plakja e popullsisë në njërën anë dhe zhvillimi i turizmit dhe ndërtimit në anën tjetër, kanë shtyrë më tej nevojat për punonjës me profesione elementare.

Të dhënat e INSTAT, për tremujorin e parë 2024 tregojnë se rritja vjetore e pagave ishte për sektorin e administratës publike me rreth 15%, si rrjedhojë e një plani që nisi vitin e kaluar, i cili rriti në mënyrë jo të zakontë pagat për të gjitha nivelet e administratës.

Rritje në këto nivele kishin edhe punonjësit me profesione elementare dhe ata të ndërtimit, pagat e të cilëve u rritën me 14-15% në tremujorin e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Nga sektori privat, rritjet më të larta me ritme dyshifrore të pagave ishin edhe në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve me rreth 15%, ku pjesa më e madhe e punonjësve përfaqësohet nga shitësit në tregtinë me pakicë dhe nga punonjësit e hoteleve dhe restoranteve, kryesisht kamerierë, banakierë dhe pastrues.

Në të kundërt, pagat e punonjësve me arsim të lartë dhe profesionistëve nga tremujori i parë 2023 në tremujorin e parë 2024 u rritën me 11-13%.

“Bie vlera” e shkollës

Në vitin 2014, paga e specialistëve me arsim të lartë ishte sa 135% e pagës mesatare, ndërsa në tremujorin e parë 2024, paga e kësaj kategorie ishte sa 129% e pagës mesatare.

Në vitin 2014, paga e profesioneve elementare ishte sa 56% e pagës mesatare, ndërsa në 2024 ishte sa 65% e pagës mesatare.

Profesionet elementare karakterizohen nga informaliteti i lartë, teksa paga reale në shumë prej tyre aktualisht është në nivelin e pagës mesatare 73,641 lekë ose sa 150% e saj (punëtorët e ndërtimit).

Një person me profesion elementar pa arsim të lartë, aktualisht ka shanse të punësohet më shpejt dhe me pagë të njëjtë ose më të lartë se një person që sapo ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë, Filologjisë ose Arteve.

Pas pandemisë, sektori i turizmit pati një kërkesë të menjëhershme për punonjës, aq sa bizneset vulosën në shtylla dhe kudo në fasada oferta për punë që shkonin deri në 1000 euro për një pastruese në sezonin e verës në hotelet e Jugut.

Kujdestarët e shtëpisë dhe pastruesit kanë gjasa të punësohen shumë më shpejt dhe me paga më të larta se punonjësit e kualifikuar

Erald Pashaj thotë se ndonjëherë, gjetja e punës për një profesionist bëhet e vështirë, pasi ti mund të jesh shumë i mirë tek puna që ke bërë, por nuk je ende gati për kërkesat specifike që kompania pritëse ka.

Profesionistët e fashës së lartë, që zotërojnë aftësi, nuk e kanë të lehtë të gjejnë pune, e kundërta ndodh po zbresësh nga fasha sa më shumë, aq më thjesht gjen punë, tha ai.

Ekspertja Sulçe, thotë se shumë të rinj, edhe pse kanë kryer studimet e larta, e kanë të vështirë të punësohen në profesionet e tyre.

Si p.sh. e kanë të vështirë ata që kanë studiuar Kimi, Drejtësi, Shkencat Sociale, degët e Fakultetit Filologjik, etj. Ajo tha se mund të gjejë më lehtë punë një punëkërkues pa arsim të lartë, nëse ai është i gatshëm të punojë në punë që nuk kërkojnë kualifikim apo eksperiencë të caktuar.

Është i konsiderueshëm numri i vendeve të lira për punonjësit e pakualifikuar dhe të kualifikuar (pa arsim të lartë) kryesisht në sektorin e Shërbimit, Prodhimit, etj. Ka mjaft mungesa për zanatet si teknik i mesëm, kamerier, banakier, sanitar, bojaxhi, usta në ndërtim, etj., tha ajo.

Këto zhvillime në tregun e punës, vijnë për shkak se ka munguar lidhja midis sektorit të arsimit me modelin ekonomik dhe planet afatgjata të zhvillimit ekonomik.

Rrjeti i arsimit profesional të mesëm nuk është shumë efikas dhe shumë persona që kanë mbaruar arsimin e lartë punojnë në profesione të tilla kasier, llogaritar etj.

Turizmi dhe ndërtimi janë shndërruar në motorin e rritjes ekonomike vitet e fundit, duke shfaqur një ofertë të menjëhershme në tregun e punës për punonjës pa shumë njohuri.

Pagat që nisin nga 700 euro për pastrueset, 1000 euro për kamerierët dhe deri në 3-5 mijë për kuzhinierët po tërheqin shumë të rinj në këto profesione.

Gjithashtu punonjës që montojnë linjat elektrike, hidraulikë, sistemet e kondicionimit janë shumë të kërkuar në kompanitë e ndërtimit.

Ndërtimi dhe turizmi janë shndërruar në qendra graviteti në tregun e punës për shkak të ofertës së lartë për punë, duke përthithur shumë të rinj dhe punonjës në sektorë të tjerë.

Mësuesja S. N. në qytetin e Lezhës, pasi punoi për disa vite rresht në zonën e Shëngjinit, gjatë muajve të verës braktisi profesionin për shkak të të ardhurave më të larta që siguroi nga puna në hotel.

Pagat më të larta në ndërtim dhe turizëm po tërheqin punonjës nga sektorë të tjerë me paga më të ulëta si bujqësia dhe sektori fason.

Gjithashtu, qeveria po shikon rritjen e pagave në turizëm, si një mjet për rikthimin e emigrantëve nga Greqia, të cilët punojnë me paga më të ulëta në vendin fqinjë.

Zhvillimi i turizmit ka ndryshuar strukturën e punësimit sipas aktivitetit ekonomik. Sipas INSTAT, në vitin 2023, sektori i bujqësisë kontribuoi me 32.3% të punësimit total, me ulje vjetore 1.7 pikë %.

Ndërsa sektori i tregtisë dhe shërbimeve (turizmi) kontribuuan në 29.1% të punësimit total ose 2 pikë % më shumë se më 2023.

Burimet nga tregu pohojnë se një punonjës me aftësi elementare në sektorin e ndërtimit, paguhet nga 5-10 mijë lekë në ditë.

Rritja vit pas viti e nevojave për punonjës në këtë sektor në kryeqytet ka bërë që popullsia në fshatrat e Tiranës, e cila më parë merrej me bujqësi, të punësohet në sektorin e ndërtimit në Tiranë.

Profesionet elementare më të kërkuarat, nivelet e larta në stanjacion

Ekspertët e tregut të punës pohojnë se, për profesionet elementare kërkesa për punë ka qenë e lartë në vendin tonë, aq sa bizneset po plotësojnë një pjesë të nevojave me punonjës të huaj.

Emigracioni i lartë i të rinjve dhe rënia e lindjeve ka krijuar hendek në tregun e punës, teksa kërkesa për punonjës është rritur në të gjithë sektorët.

Ekonomia në Shqipëri sot ka dy motorë zhvillimi, të cilët reflektohen edhe në punësim.

Këto janë turizmi dhe ndërtimi, shprehet Erald Pashaj. Gjithashtu, pritet të vazhdojë kërkesa edhe për punonjës të sektorit të teknologjisë së informacionit, por edhe për pozicione që duhet të prodhojnë cilësi, siç janë drejtuesit dhe specialistët për çdo funksion.

Tregu gjithmonë e më shumë ka nevojë për njerëz edhe më të aftë dhe më kompetentë, edhe me më shumë njohuri, etj., e për këtë arsye do të ofrojë paga konkurruese për këto nivele.

Por për drejtuesit ekzekutivë dhe CEO-t ka një stanjacion, pasi kjo kategori varet tërësisht nga hyrja në treg e operatorëve të rinj me potencial, kryesisht investime të huaja që kërkojnë aftësi.

“Sikur të hyjë edhe një kompani e huaj që kërkon 20 menaxherë dhe drejtues të lartë vë në lëvizje gjithë tregun”, thotë z. Pashaj.

Në fillim të viteve të 2000, u gjeneruan hapësira për specialitetet e të gjitha niveleve nga hyrja në tregun tonë të bankave të huaja, kompanive të telekomunikacionit dhe të atyre në sektorin e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit, Investimet e Huaja Direkte arritën vlerën e 354 milionë eurove, niveli më i lartë historik për këtë periudhë të vitit.

Investimet e huaja janë rritur me 15.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, rritja e investimeve të huaja tashmë po dominohet dukshëm nga fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve, ndërsa injektimet e reja të kapitalit janë pothuajse në stanjacion, teksa rreth 23% e totalit tyre ishin në blerjen e pasurive të paluajtshme, që nuk gjenerojnë punësim. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Minimi i masave shkëmbore, të shtunën do të ndërpritet qarkullimi i veturave në udhëkryqin e Gjakovës në Klinë

Minimi i masave shkëmbore, të shtunën do të ndërpritet qarkullimi i veturave në udhëkryqin e Gjakovës në Klinë

Lajme
Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Kronika e Zezë
​S’kalojnë amendamentet e PDK-së: Përplasje e ashpër Shoshi-Bogujevci, i bashkëngjitet edhe Musliu

​S’kalojnë amendamentet e PDK-së: Përplasje e ashpër Shoshi-Bogujevci, i bashkëngjitet edhe Musliu

Lajme
Operacioni

Operacioni "SIM", prangosen katër të dyshuar në Prishtinë dhe Mitrovicë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori