LAJMI I FUNDIT:

Tre vjet në pritje për operim në Ortopedi (Video)

Tre vjet në pritje për operim në Ortopedi (Video)

Pacientët presin deri në 3 vjet për operim në Klinikën e Ortopedisë në QKUK. Drejtuesit e Shërbimit Spitalor Universitar thonë se po shohin mundësitë për përmirësimin e kësaj gjendje.

Vesel Morinës iu desh të pres tri vjet, për të kryer ndërhyrje kirurgjike në gju, në klinikën e Kirurgjisë Ortopedike.


“Kam aplikuar në vitin 2015, por tash para tri ditëve (hënë) jam operuar”, deklaroi Vesel Morina për RTV Dukagjini.

Por, ai nuk është i vetmi. Në këtë listë presin me dhjetëra persona që nga viti 2015.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, pranon se lista është e gjatë, mirëpo në këtë listë bëjnë pjesë vetëm rastet jo emergjente. Megjithatë, shton se është e nevojshme funksionimi edhe i një salle operative.

“Me funksionalizimin e një salle shtesë, e cila është salla e katërt në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes do të zvogëlohet dhe reduktohet me shpejtësi kisha thënë, sepse vet fakti që do të kemi një hapësirë shtesë në njërën anë dhe furnizimi i rregullt me material nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, kapacitetet profesionale i kemi”, deklaroi Arbër Tolaj – Drejtor i Klinikës së Ortopedisë.

Ndërsa drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu, tha se janë duke u shqyrtuar të gjitha kërkesat e drejtuara nga kjo klinikë.

“Jemi duke u marrë me secilën klinikë, njëjte po ndodh edhe me ortopedinë. Ata kanë kërkuar edhe sallën e katërt dhe artroskop. Edhe ky mjet është në procedurë të blerjes. Sa i përket materialit shpenzues, disa kontrata tashmë i kemi nënshkrua”, deklaroi drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu.

Herë pas here, klinika e Ortopedisë ballafaqohet edhe me mungesë ta protezave dhe materialit shpenzues./Telegrafi/