Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 14:35 në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në afërsi të Vragolisë, ku tre persona kanë pësuar lëndime, dy prej tyre në gjendje të rëndë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur se dyshohet që drejtuesi i një kamioni me targa vendore ka humbur kontrollin e mjetit, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe ka goditur katër automjete të tjera.


“Si pasojë e këtij aksidenti, deri në këto momente raportohet se dy persona kanë pësuar lëndime të rënda dhe një tjetër ka marrë lëndime të lehta. Të gjithë të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka deklaruar Hoxha.

Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Policia ka apeluar tek të gjithë shoferët që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve, në mënyrë që të shmangen ngjarje të tilla që rrezikojnë jetën e qytetarëve./Telegrafi/