Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, është bërë temë politike e tre filmave që janë shfaqur në pesë vjetët e fundit. Fjala është për filmin “The Water Diviner” (Hulumtuesi i ujit), “The Ottoman Lieutenant” (Lejtënanti osman) dhe “The Promise” (Premtimi).

Që të tre filmat ngjarjen e paraqesin nëpërmjet dashurisë. Të paraqitet tema e tragjedisë nëpërmjet segmentit të dashurisë është zgjedhje e guximshme dhe tejet interesante. “Hulumtuesi i ujit” merret me situatën e pasluftës kurse dy tjerët përqendrohen në periudhën e luftës (1914-1918).

I.

Kjo kohë, me plot ngjarje që e kanë tronditur njerëzimin, është temë e pashtershme për historinë, letërsinë dhe artin. Për anglezët, australianët, së bashku me vendet tjera koloniale që luftuan në kuadër të ushtrisë britanike, Çanakalaja apo Galipoli siç e quajnë anglo-saksonët, ka rëndësi të veçantë. Kjo ushtri pësoi disfatë në Çanakala ndaj asaj osmane që e udhëhoqi Kemal Atataurku. Prandaj, rëndësia është më e madhe për Turqinë për shkak se në këtë betejë u vërtetua se gjatë rënies së Perandorisë Osmane, praktikisht po formohej kombi turk, i cili qe në gjendje të triumfojë ndaj ushtrive të shumta e gjigante. Prandaj, filmi “The Water Diviner” përqendrohet në këtë temë e cila rrëfehet nëpërmjet të segmentit të dashurisë së prindërve për fëmijët.

Joshua Connor, rolin e të cilit e luan Russell Crowe dhe i cili e ka bërë edhe regjinë, është bujk diku në Australi. Pasi ai jeton në pjesën e vendit gjysmë shkretëtirë, kohën e kalon duke hulumtuar gjetjen e ujit që është më se i nevojshëm për jetë. Por, jeta e tij ndryshon kur tre djemtë e tij shkojnë për të luftuar në Çanakale ku edhe vriten. Nëna, nga mërzia, nuk e duron më jetën dhe bënë vetëvrasje. Për këtë arsye, por edhe për shkak se Joshua nuk ka qenë kurrë në kishë, prifti nuk pranon ta kryej ceremoninë. Varrimi dhe ceremonia kryhet vetëm pasi Joshua pranon ofertën e priftit për ryshfet që është karroca e tij.

Pas këtij momenti, Joshuas nuk i mbetet gjë tjetër pos të shkojë në Stamboll dhe t’i gjejë varret e tre bijve të tij. Vështirësitë e gjetjes së varreve janë të mëdha, pasi që këtë nuk e lejojnë oficerët britanikë të cilët e bëjnë punën sipas urdhrave dhe planeve. Por, Joshuas i ndihmojnë oficerët osmanë dhe ai arrin t’i gjejë eshtrat e dy djemve. I treti merret vesh se është gjallë diku në Turqi. Gjërat zhvillohen në atë mënyrë që Joshua bëhet mik me oficerët osmanë të cilët në fakt janë nacionalistë turq dhe ia gjejnë djalin e tretë, të voglin, i cili nuk dëshiron të kthehet në Australi. Ai më nuk e gjen arsye të jetojë në shtëpi pa vëllezërit e tij, ndaj jeton në një fshat turk. Joshua, për shkak të situatës, tashti është në mesin e turqve dhe me ta lufton kundër bandave greke. Këtu duhet potencuar se grekët i paraqet të dhunshëm dhe të egër që kryejnë krime kundër popullsisë së pafajshme turke dhe që ua shkatërrojnë pasurinë. Momenti i rënies së Perandorisë që krijon trazira të mëdha shoqërore, është paraqitur për çdo lëvdatë.

Filmi përfundon me një porosi të veçantë pozitive. Pronarja e hotelit, një turke – e bukur të cilës burri i është vrarë në Çanakale – dhe Joshua bien në dashuri. Ata i bashkon karakteri dhe mungesa e paragjykimeve, por edhe fati i njëjtë tragjik. Fundi i filmit sugjeron se Joshua mbetet për të jetuar në Stamboll së bashku me të birin. Kjo gjë është e mundshme dhe ka ndodhur në historinë e njerëzimit. Vendi i njeriut është aty ku gjendet dashuria dhe aty ku qëndrojnë varret e më të dashurve. Ajo që duhet të theksohet në lidhje me këtë film është fakti që Russell Crowe, sikur edhe artistët tjerë australianë, veçanërisht Mel Gibson, me filmat e tyre bëjnë me dije se njerëzit janë të njerëzishëm pa marrë parasysh që u takojnë vendeve, religjioneve dhe racave të ndryshme.

Ky film është kritikuar nga grekët për shkak se ata nuk paraqiten mirë. Kritika e armenëve ka të bëjë me faktin se osmanët apo turqit nuk duhet të paraqiten mirë në film. Por, siç duket, filmave ku turqit paraqiten ekskluzivisht në formë negative u ka ardhur fundi ose janë në zvogëlim e sipër.

II.

“Lejtënanti osman” ka qëllim të caktuar politik që paraqitet përmes dashurisë. Aktorët janë të njohur, përfshirë Ben Kingsleyin. Një infermiere amerikane shkon në Turqi për të punuar si vullnetare në një spital amerikan, i cili gjendet në rajonin e banorëve armenë. Një oficer osman, xhentëlmen i vërtetë, dhe një mjek amerikan konkurrojnë për pushtimin e zemrës së infermieres. Infermierja me plot dashuri vendos për lejtënantin osman, për shkak se cilësitë e tija njerëzore janë më të mëdha se ato të mjekut amerikan. Filmi në qendër përmban armenët kryengritës që presin ndihmën ruse. Filmi e pranon faktin se është ushtruar dhunë ndaj armenëve që paraqesin rrezik. Por, dhuna nuk ka qenë aq sa trumbetohet për gjenocid, sugjeron filmi. Madje, lejtënanti vritet nga ushtarët e tij për shkak se dëshiron ta parandalojë vrasjen e fshatarëve armenë.

Por, “Lejtënanti osman” është sulmuar nga armenët si film që ka të bëjë me zhvlerësimin e asaj që ka ndodhur me armenët. Ç’është e vërteta, duket se ndihma e ndryshme turke nuk ka munguar në bërjen e këtij filmi.

III.

Filmi i tretë, “The Promise”, është bërë me planifikim që ta popullarizojë një temë mjaft diskutabile. Ky film ka për qëllim që të bëjë me dije se në Turqi dhuna e ushtruar ndaj armenëve ka qenë gjenocid. Edhe këtu rrëfimi shpaloset me anë të dashurisë konkurruese, sikur te “Lejtënanti osman”. Një armen, i cili vjen në Stamboll për të studiuar mjekësinë, dashurohet me një valltare po ashtu armene dhe e cila është në lidhje dashurie me një gazetar amerikan, i cili raporton për “New York Times”-in. Ngjarja tentohet të tregohet nëpërmes aktorëve të njohur, por filmin e përshkon një plogështi.

***

Sidoqoftë, që të tre këta filma kanë karakter të ngjashëm sikur edhe angazhim të aktorëve, regjisorëve dhe skenaristëve të njohur. Në të gjitha aspektet, “Hulumtuesi i ujit” qëndron më lartë se dy filmat tjerë. Ka edhe besueshmëri më ta madhe për shkak të angazhimit të pavarur dhe për shkak që përmban porosi me karakter human e që pranohet lehtë. Në disa aspekte duket se që të tre filmat janë punuar nga një dorë e njëjtë. Kjo dëshmohet jo vetëm me mënyrën e rrëfimit të dashurisë, por edhe me disa skena tjera të ngjashme. Ta zëmë, skena kur Joshua, sikur studenti armen dhe infermierja amerikane vijnë në Stamboll për herë të parë, janë pothuaj të njëjta. Hyrja në qytet bëhet me anije nga e cila Stambolli duket madhështor nga Bosfori. Skenat e zbarkimit dhe rrugët kaotike janë të ngjashme. Duket se Stambolli, kryeqyteti i historisë, ka krijuar klishe apo shabllon të njëjtë për t’i habitur apo frymëzuar njësoj skenaristët dhe regjisorët e ndryshëm. Pra, faza e parë e këtyre tre filmave që ka të bëjë me Stambollin, është pothuaj e njëjtë. Kasta e lartë osmane bën jetë luksoze dhe është e kulturuar deri në maksimum. Minoritetet bëjnë jetë të rehatshme dhe janë pjesë elitare e shoqërisë. Por, kjo vlen vetëm deri në fillim të problemit që, po ashtu, paraqitet dhe dinamizohet ngjashëm në këta tre filma.

Që të tre filmat kanë performuar nën parashikime. Madje, “The Promise” nuk e ka përmbushur qëllimin as përafërsisht pasi që nuk e ka ngritur vetëdijen në botë për përkrahje të qëllimit të armenëve. Filmi është shikuar nën nivelin e planifikuar. Në fakt ka përfunduar me 100 milionë dollarë humbje përkundër dy filmave tjerë që kanë shënuar shikueshmëri relative dhe fitime por jo aq sa është pritur.