Tre burra arrestohen në Londër me dyshimin se ndihmuan shërbimet e inteligjencës ruse

Policia metropolitane thotë se ka arrestuar tre persona në Londër sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare.
Burrat, të moshës 48, 45 dhe 44 vjeç, u arrestuan në Londrën perëndimore dhe qendrore me dyshimin se vepronin si "të përfaqësuar" për Rusinë, transmeton Telegrafi.
Komandanti Dominic Murphy, kreu i policisë Kundër Terrorizmit në Londër, tha: "Po shohim një numër në rritje të atyre që ne do t'i përshkruanim si 'të përfaqësuar', që rekrutohen nga shërbimet e inteligjencës së huaja dhe këto arrestime lidhen drejtpërdrejt me përpjekjet tona të vazhdueshme për të ndërprerë këtë lloj aktiviteti”.
"Kushdo që mund të kontaktohet dhe të tundohet të kryejë aktivitet kriminal në emër të një shteti të huaj këtu në Mbretërinë e Bashkuar, duhet ta mendojë përsëri”, shtoi ai.
"Ky lloj aktiviteti do të hetohet dhe kushdo që gjendet i përfshirë mund të presë të ndiqet penalisht, dhe ka pasoja potencialisht shumë serioze për ata që dënohen", tha në fund Murphy. /Telegrafi/



















































