Tre arinj dyshohet se dëmtuan një varrezë në Suharekë dhe 35 koshere bletësh, policia apelon për kujdes

Një banor i fshatit Bllacë të Komunës së Suharekës ka raportuar sot tre arinj kanë hyrë në pronën e tij dhe i kanë dëmtuar rreth 35 koshere bletësh.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizreni, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi tha se sipas deklaratës së qytetarit, para disa ditësh, arinjtë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat.
“Sot, më datë 08.10.2025, pas pranimit të një informacioni, Policia ka ftuar një banor të fshatit Bllacë të Suharekës, i cili ka raportuar se më datë 04.10.2025, dyshohet që tre arinj kanë hyrë në pronën e tij dhe i kanë dëmtuar rreth 35 koshere bletësh. Sipas deklaratës së qytetarit, para disa ditësh, arinjtë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat”, ka thënë Bytyqi.
Tutje ai theksoi se i njëjti ka shprehur shqetësimin e tij se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për bagëtitë dhe për njerëzit.
“Pas konsultimit me prokurorin kompetent, është vlerësuar që policia të mbajë shënim për rastin dhe të ftojë qytetarët të kenë kujdes, sidomos gjatë lëvizjes në zonat e pyllëzuara apo afër vendbanimeve ku mund të paraqiten kafshë të egra. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë ndër Bytyqi. /Telegrafi/


















































