LAJMI I FUNDIT:

​Trazirat në Mal të Zi, Kosovës i kërkohet të ketë kujdes nga interesat serbo-ruse

​Trazirat në Mal të Zi, Kosovës i kërkohet të ketë kujdes nga interesat serbo-ruse

Trazirat e djeshme në Mal të Zi po vlerësohen se mund të ndikojnë në destabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në rast se përsëriten veprime të tilla.

Në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur, njohës të politikës dhe të sigurisë thonë se duhet të rritet siguria kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO.

Sipas tyre, thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin, pasi që Serbia qëndron mirë ushtarakisht dhe ka një aleate Rusinë.


Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajrullahu thotë për KosovaPress se Kisha Ortodokse Serbe përgjatë dekadave ka nxitur konflikte në rajon.

Ngjarjet e djeshme në Mal të Zi, Hajrullahu i sheh mjaft shqetësuese, teksa thotë se Rusia luan një rol shumë destruktiv në rajon me investime minimale.

“Rusia luan një rol shumë destruktiv dhe me investime minimale është duke arritur që të krijojë destabilizim maksimal. Kjo vërehet në Mal të Zi tash, por edhe më herët në Maqedoni, Kosovë, Bosnje etj., si mashë në krijimin e këtij destabiliteti dhe çorientimi të rajonit në rrugën e integrimeve euroatlantike e përdorë Serbinë, e cila është edhe aleate edhe vetë-viktimë e vullnetshme e interesave ruse në rajon… Mali i Zi, me faktin e të qenit anëtar i NATO-s, është më i sigurt dhe çështja është nëse ka këso lloj veprimesh në rajon, atëherë edhe Mali i Zi, po edhe Kosova dhe krejt rajoni mund të rrezikohen dhe mund të ketë destabilitet më të madh, të panevojshëm, kontra-produktiv sa i përket perspektivës evropiane të rajonit”, tha Hajrullahu.

Sipas tij, Kosova është e rrezikuar gjatë tërë kohës nga retorika dhe agresioni serb, i cili siç thotë ai, është “zëdhënës i politikave dhe interesave ruse”.

“Kosova është e rrezikuar vazhdimisht, në rend të parë prej retorikës apo agresionit serb, i cili është një lloj zëdhënësi i politikave dhe interesave ruse, dhe vet fakti kur i dëgjojmë ato këngë në Mal të Zi, me sloganin ‘kur një ditë të kthehet ushtria në Kosovë’, këto na kujtojnë një qasje të ngjashme ose të njëjtë me të talibanëve. Pra, në këtë rast, politika serbe është në të njëjtën vijë dhe me të njëjtën mendësi sikurse e talibanëve, që një ditë shpresojnë që do të krijohen mundësitë që një ditë të kthehen ushtarakisht në Kosovë… Kosova duhet ta ketë prioritet çështjen e sigurisë kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO. Në qoftë se anëtarësimi në NATO nuk do të jetë i mundur, atëherë Kosova duhet që sa më parë të punojë drejt realizimit të akteve të mbrojtjes në krye me SHBA-në”, tha Hajrullahu.

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla thotë për KosovaPress, se vendet e Ballkanit nuk mund të hyjnë në një konflikt të ri mes vete, porse mund të riciklohen konflikte të ngrira, si i Bosnjës dhe ai i Kosovës.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë në mobilizimin ushtarak dhe konsolidimin shtetëror pasi që ka të bëjë me një fuqi të madhe ushtarake si Serbia, e që ka aleate Rusinë.

“Vendet ballkanike nuk mund te hyjnë në konflikt mes vete, por mund të riciklohen konfliktet e ngrira, ai i Bosnjës dhe ai i Kosovës, dhe kjo është një mundësi shumë konkrete në situatën në te cilën ndodhemi… Pas zhvillimeve ne Ukrainë, Lindjen e Mesme, në Nagorno-Karabakh dhe Afganistan, klasa politike e Kosovës dhe sidomos ajo udhëheqëse duhet të shohë mundësinë e armatimit të shpejtë të ushtrisë se Kosovës me kapacitete mbrojtëse, teknologji raketore mbrojtëse, mjete ushtarake fluturuese mbrojtëse, forca speciale dhe të rikthejë shërbimin e detyruar ushtarak. Përtej rikthimit të procesit të njohjeve të Kosovës deri në zgjerimin përfundimtar të BE-së në të gjithë Ballkanin, Kosova duhet ta ketë të qartë se ka në kufi një fuqi të madhe ushtarake me Rusinë aleate, e cila jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por juridikisht e konsideron veten se nuk është larguar kurrë nga Kosova. Ndaj edhe thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin”, tha Kulla.

Ai thekson se Kosova duhet të kthehet te projekti i saj dhe i vetëm, e që sipas tij është forcimi dhe konsolidimi i politikës së shtet-formimit modern të saj.

Edhe drejtori ekzekutiv i “GeoPost”, Gynen Venhari, thotë për KosovaPress, se institucionet e sigurisë publike në Kosovë dhe mediat duhet të kenë kujdes sa i përket dezinformatave të ndryshme nga qarqet serbo-ruse në Ballkan, në kuadër të luftës hibride.

“Problemet e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë filluar para dy vjetëve, me tentimin për formimin e Kishës Autoqefale malazeze dhe aty kanë filluar problemet. Fatkeqësia më e madhe është që kisha dhe klerikët duhet t’i shërbejnë Zotit, ata po i shërbejnë dexhallit dhe politikave të ndryshme, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit… Forcat inteligjente ruse në bashkëpunim me Kishën Ortodokse kërkojnë destabilizimin e Malit të Zi, jo vetëm tash, por qe një kohë të gjatë… Jo vetëm Mali i Zi, por i gjithë rajoni është i rrezikuar nga ky ndikim… Probleme shfaqen edhe në shtetet të tjera dhe Kosova nuk është që mund t’iu ikë këtyre problemeve, andaj duhet të jemi mjaft të kujdesshëm sa i përket këtyre problemeve që e rrethojnë regjionin”, tha Venhari.

Portali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës se a sheh rrezik nga thirrjet e djeshme të priftërinjve serbë “kur të kthehet ushtria në Kosovë”, por që kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Lidhur me zhvillimet në Mal të Zi, ku disa protestues kanë kundërshtuar shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, ka reaguar opozita.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në Cetinje të Malit të Zi. Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviq i njohur si Arkan, në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.

Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.

Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës e kundërshtuan ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”. Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.kp/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

Lajme
I moshuari italian ia lë pasurinë shqiptares që u kujdes për të, por i biri që e braktisi ia vjedh krejt paratë

I moshuari italian ia lë pasurinë shqiptares që u kujdes për të, por i biri që e braktisi ia vjedh krejt paratë

Lajme

"Një copë bukë, gjithmonë me buzëqeshje", mediumi italian shkruan për shqiptarin nga Malisheva që humbi jetën në aksident trafiku

Kronika e Zezë
Pas Prishtinës edhe Fushë-Kosova dhe Skenderaj ndalojnë përdorimin e doracakëve të edukimit seksual në shkolla

Pas Prishtinës edhe Fushë-Kosova dhe Skenderaj ndalojnë përdorimin e doracakëve të edukimit seksual në shkolla

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Barduani: Problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhen me mjete ushtarake

Barduani: Problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhen me mjete ushtarake

Siguri
Kalo në kategori