"Më trajtuan si kafshë, pashë të tjerët të vdisnin", palestinezët tregojnë për torturat në burgjet e Izraelit

Disa palestinezë të liruar nga robëria izraelite pas një armëpushimi kanë treguar për BBC se i janë nënshtruar abuzimeve dhe torturave brutale.
Ata pretendojnë se janë rrahur, poshtëruar, dhe madje torturuar me kimikate dhe goditje elektrike nga ushtarët izraelitë dhe rojet e burgut, duke mbështetur më tej akuzat e mëparshme për abuzim në objektet dhe burgjet ushtarake izraelite.
Njëri prej tyre, mekaniku 36-vjeçar Mohammad Abu Tawileh, tha se ushtarët i derdhën kimikate në kokë, i vunë zjarrin shpinës dhe e rrahën me kondakë pushke.
“Më trajtuan si kafshë", tha ai.
Një mjek në Gaza më vonë konfirmoi se ai kishte pësuar një lëndim në sy dhe djegie.
Bëhet e ditur se BBC foli me pesë burra që u arrestuan në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe po mbahen pa akuza sipas ligjit të Izraelit për luftëtarët e paligjshëm.
Të gjithë mohojnë çdo lidhje me sulmin.
Dhe po të gjithë përshkruan një model të ngjashëm abuzimi: zhveshje, lidhje dhe rrahje, përcjell Telegrafi.
Disa thonë se atyre iu mohua ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor, u torturuan me goditje elektrike dhe ishin dëshmitarë të vdekjes së të burgosurve të tjerë.
“Ne i pamë të vdisnin”, shtoi njëri nga ta.
E tjetri tha se kishte parë të burgosur tjerë të abuzoheshin seksualisht.
Adoleshenti Ahmed Abu Seif tregoi se izraelitët i kishin nxjerrë thonjtë e tij gjatë marrjes në pyetje në burgun Megiddo.
Kur gazetarët e filmuan atë një ditë pas lirimit, lëndimet në duar dhe këmbë ishin ende të dukshme.
Abdul Karim Mushtaha tha se ai u rrah derisa u lodh, u lag me ujë të ftohtë, u mbajt i zhveshur dhe iu mohua mjekimi.
Raportohet se pas daljes nga burgu, ai u diagnostikua me zgjebe dhe kequshqyerje të rëndë.
Një dëshmitar, i quajtur Omar, tha se të burgosurit detyroheshin të kryenin akte seksuale ndaj njëri-tjetrit në burgun Ketziot.
Shoqata e të Drejtave të të Burgosurve Palestinez pretendon se abuzime të tilla janë të zakonshme në burg.
Ndryshe, ushtria izraelite (IDF) ka hedhur poshtë akuzat për abuzim sistematik, por tha se do të "shqyrtojë" disa raste.
Shërbimi i Burgjeve të Izraelit thotë se nuk është në dijeni të pretendimeve dhe se të gjithë të burgosurit po trajtohen në përputhje me ligjin.
Por ekspertët ligjorë ndërkombëtarë thonë se sjellja e përshkruar e kalon qartë kufirin e torturës.
“Zhytja e kokës në kimikate, elektroshoku, nxjerrja e thonjve - kjo është torturë”, tha Dr. Lawrence Hill-Cawthorne nga Universiteti i Bristolit në Britani.
Sipas deklaratave të disa të burgosurve, abuzimi nuk u ndal deri në ditën e lirimit të tyre.
Disa thanë se më pas u prangosën dhe u kërcënuan me sulme me raketa nëse do të lidheshin sërish me Hamasin.
Pas kthimit të tyre në Gaza, shumë ishin dukshëm të kequshqyer dhe të torturuar.
Mjekët konfirmuan raste të shumta të sëmundjeve të lëkurës, kequshqyerjes dhe efekteve fizike të torturës.
Për disa, kthimi ishte një lehtësim dhe një traumë.
"Unë nuk mund të bëj më asgjë. Gjithçka dhemb", tha Mohammad Abu Tawileh. /Telegrafi/


































